Kush e informoi policinë për hyrjen e “terroristit” serb në Kosovë

Slobodan Gavriq, 46 vjeçar me vendbanim në Beograd, u arrestua dy ditë më parë në Prishtinë, pasi iu zunë 13 kilogramë eksploziv në veturën e tij. Autoritetet e rendit në Kosovë kanë ngritur dyshimin se ai po përgatiste një sulm terrorist. Por e përditshmja serbe “Blic”, duke u thirrur në burime të veta, pretendon se këtu fshihet një grackë e ngritur nga një narko-diler nga Novi Pazari. 

Lajme

27/12/2014 23:08

Gazeta serbe “Blic”, shkruan se ka mësuar nga burime të saj, se arrestimi i Gavriqit, kishte ndodhur pasi ai ishte raportuar në policinë e Kosovës nga një tregtar i drogës nga Novi Pazari, transmeton lajmi.net. 

Sipas kësaj gazete, kjo edhe është arsye pse mund të ngriten dyshime, se këtu ka diçka përtej asaj që pretendohet.   

Siq thotë të ketë mësuar kjo gazetë, të enjten në mbrëmje, narko-dileri nga Novi Pazari e kishte njoftuar Policinë e Kosovës, se në Prishtinë do të vijë Slobodan Gavriq, me një veturë të zero “Renault Clio”, në të cilën ka edhe 13 kilogram eksploziv, me qëllim hedhjen në ajër Hotelin Grand dhe Katedralen. 

Për këtë informacion është njoftuar menjëherë EULEX, dhe janë bllokuar të gjitha kalimet kufitare të Kosovës.

Megjithatë Gavriq, kishte arritur të hynte në Kosovë nga Serbia para bllokimi të kufirit. Në Kosovë ai kishte hyrë në orën 19:18 minuta përmes Rudnicës, dhe pastaj kishte shkuar në Prishtinë, ku edhe ishte arrestuar rreth orës 22:00. 

Është interesant fakti se askush nuk e kishte vërejtur atë, edhe pse ai disa orë para se të hynte në Kosovë me eksplozivin në veturë, kishte hyrë në Serbi nga Kosova, ku kishte qëndruar më parë.

Gavriq sipas gazetës Blic, është punësuar në administratën e Ministrisë Bujqësië, si inspektor veterinar.

“Ai punonte në kontrollin e mallrave me origjinë shtazore. Gjithmonë ishte i ndërgjegjshëm dhe i përgjegjshëm. Nuk ishte i dhënë pas alkoolit dhe nuk kishte sjellje të këqija”, thonë kolegët e tij.

Asnjë prej tyre, megjithatë nuk e di pse Gavriq shkoi në Kosovë, por thonë se ata nuk e besojnë se ai kishte planifikuar ndonjë sulm terrorist.

Gavriq, sipas gazetës serbe “Blic”, nuk kishte kryer asnjëherë ndonjë vepër penale. Ai bashkë me gruan e tij e cila punon në Ministrinë e Brendshme, dhe fëmijët, jetojnë në një banesë në Beogradin e Ri. (lajmi.net)