Kush duhet ta udhëheqë Klinën?

6:47 | 26 Tetor 2013

zgjedhjet

Kandidati i AAK-së për Kryetar të Komunës së Klinës, Enver Berisha, është vlerësuar më lartë se kundërkandidatët e tij.

SERI EDITORIALESH QË NXJERRIN KANDIDATËT MË ADEKUATË PËR KRYETAR

[infobox style=’regular’ static=’1′]

Duke diskutuar dhe analizuar secilin kandidat, të kaluarën e tyre, premtime, performancën në debate, cilësinë e porosive dhe programit të tyre, një grup analistësh dhe gazetarësh kanë krahasuar ata dhe kanë nxjerrë kandidatin më adekuat.

Dëshirojmë të inkurajojmë opinion-formuesit që të diskutojnë haptazi performancën dhe të jenë më të guximshëm në kritikat apo lëvdatat e politikave dhe kandidatëve që proklamojnë ato, përkundër frikës se dikush mund të na akuzojë për anim.

Kemi ndërmarrë disa mënyra për të zvogëluar rrezikun e animit: përfshirje e gjerë të analistëve, shqyrtim të detajshëm të epërsive dhe dobësive të kandidatëve, votimi veç e veç për 10 kritere, dhe kërkimi i konsensusit përfundimtar se cili do të ishte kryetari më i mirë.

Emrat e analistëve dhe gazetarëve që ishin pjesë të këtij diskutimi do të publikohet në përmbyllje të kësaj serie të shkrimeve. Artikulli gjithashtu mund të gjendet në web faqen e Institutit D4D që koordinon këtë proces (www.d4d-ks.org).

Nisma përkrahet nga Mbretëria e Holandës.

Editoriali nuk reflekon qëndrimet e lajmi.net.

[/infobox]

BERISHA PËR KLINËN

Kandidati i AAK-së për kryetar të Komunës së Klinës, Enver Berisha, është vlerësuar më lartë se kundërkandidatët e tij. Pretendentë të tjerë për ta drejtuar këtë komunë pas 3 nëntorit 2013, janë edhe 6 kandidatë: Sokol Bashota (PDK – i rikandiduar), Fadil Gashi (LDK, i rikandiduar), Avni Gashi (AKR), Hajzer Idrizi (LVV), Prend Buzhala (PSHDK) dhe Filip Berisha (PDKI). Për një nuancë, Berisha i AAK-së doli para dy kundërkandidatëve të tij, Sokol Bashota (PDK) dhe  Fadil Gashi (LDK), të cilët kanë marrë notë të njëjtë.

Vlerësimi nga analistët është bërë pasi janë marrë për bazë arritjet e deritashme jetësore dhe integriteti i kandidatëve, programi zgjedhor, performanca në debate, arsimi e karriera para hyrjes në politikë, kredibiliteti i subjektit dhe ndikimit të tij, përvoja në qeverisje ose njohurive për pushtetin lokal, mënyra e vendosjes si kandidat, raportet nga institucione dhe OJQ-të e ndryshme etj.

Enver Berisha (AAK) ka qenë tri herë kundërkandidat i Bashotës së PDK-së dhe dy herë në balotazh me te. Ai është zotuar para elektoratit se nuk do të lejojë që t’i merret pushteti siç ka ndodhur më 2009, kur siç thotë ai, ka hequr dorë që të mos ndodhte më e keqja, pasi që “ka pasur edhe vringëllima armësh”. Në paraqitjet publike, Berisha tregoi kulturë debati, me sukses luajti rolin e opozitarit kryesor si edhe është vlerësuar i matur.

Problem për Berishën është fraksioni i dalë nga AAK që tani përkrah Bashotën, përqendrimi në keqqeverisjen e kaluar dhe se është përfitues i një banese që e ka ndarë Kuvendi Komunal. Në fokus të Berishës janë kujdesi ndaj arsimtarëve, rinisë, shëndetësia, dëshmorët, zhvillimi i bujqësisë, zhvillimi ekonomik, shitja e veturës së Bashotës për t’i riparuar shkollat, reduktimi i shpenzimeve, jodiskriminimi mbi baza politike, trajtimi i barabartë i të gjitha lokaliteteve.

Shpërndaje