Kush do të fitojë balotazhin në Mitrovicë, flasin qytetarët
Në prag të balotazhit për kryetar komune, qytetarët e Mitrovicës kanë ndarë mendimet e tyre për procesin zgjedhor, partitë politike dhe pritjet për të ardhmen. Disa prej tyre shprehin besim në subjektet tradicionale, të tjerë kërkojnë ndryshim, ndërsa një pjesë shprehen skeptikë ndaj premtimeve të partive politike. Selmon Hajdini thotë se qytetarët duhet të vlerësojnë…
Lajme
Në prag të balotazhit për kryetar komune, qytetarët e Mitrovicës kanë ndarë mendimet e tyre për procesin zgjedhor, partitë politike dhe pritjet për të ardhmen.
Disa prej tyre shprehin besim në subjektet tradicionale, të tjerë kërkojnë ndryshim, ndërsa një pjesë shprehen skeptikë ndaj premtimeve të partive politike.
Selmon Hajdini thotë se qytetarët duhet të vlerësojnë vetë dhe të mos ndikohen, pasi vetëm puna dhe rezultatet dëshmojnë realitetin.
“Njerëzit duhet ta shohin vetë, nuk duhet besuar askujt, as analistëve, as politikanëve, as atyre se çfarë thonë. Shikoni vetë. A keni qenë dëshmitarë këtu në vitin 2021? Por, ne qytetarët në Mitrovicë dhe ata që janë më larg, sytë janë për të shikuar. Dil shiko vetë edhe çka!? Sikurse thotë fjala e urtë popullore “Vetëm puna flet”, s’ka nevojë për të të thënë dhe të të mashtrojë askush. Kah të shkosh, shikoni si janë punët, s’ka nevojë të pyesësh askënd, vetë kërkoni”, tha Hajdini.
Mevlude Shkupolli ka ardhur nga Suedia për raundin e dytë, i cili do të vendosë fituesin edhe për katër vjet në Mitrovicë.
“Prej Suedisë kam ardhur vetëm për PDK-në për ta votuar”, u shpreh Shkupolli.
Qytetari Sadik Peci-Boletini shprehet i zhgënjyer me partitë politike, duke i kritikuar ato për mungesë të vlerave politike.
“Faton Peci do të fitojë 100 për qind. E kam timin, i imi është, tjetër kujt nuk ia jap (votën). Edhe populli e do. Këta tjerët hajna. PDK-ja ka rrëshqitur në përrua, e veç për hajni dhe faqe të zeza. LDK-në Isa Mustafa e shkatërroi krejt. Na krejt LDK jena kanë, por e shkatërroi ai. Kanë mbetur hajnat, me hajna mos paç punë”, tha Sadik Peci-Boletini.
Qytetari Gani Kurti potencoi se nuk beson më në premtime dhe ndryshime politike, duke theksuar se qytetarët janë lodhur nga gënjeshtrat.
“Për ndryshime nuk besoj kurrgjë. Me rrena jena ngopur. Kujt ia jepi, le t’ia japin, nuk e di”, deklaroi Kurti.
Ndërkohë, një qytetar që nuk deshi të identifikohej tha se pavarësisht fituesit të zgjedhjeve, e rëndësishme është që shqiptarët të ecin përpara.
“Unë nuk jetoj këtu, jetoj në diasporë. Çfarë të thuash për balotazh? Cila parti që fiton është më e mira, por më e mira është që shqiptarët të ecin përpara. Për votime shkoj në Berlin”, tha ai.
Dy qytetarë të tjerë, të cilët nuk kanë pranuar të zbulojnë identitetin e tyre, ndanë qëndrime të ndryshme politike.
“Unë jam me PDK-në e ky me Vetëvendosjen. Unë jam për Arian Tahirin edhe e përkrah edhe besoj se do të fitoj. I dëshirojmë sukses. Kanë prurë deri tash dhe do të sjellin ende ndryshim për të mirë… (Tjetri qytetar) Unë mendoj që duhet ndryshimi. Sikur të kishin dashur këta të bëjnë ndryshim, e kishin bërë, kanë pasur mundësi deri më tash. Tash ata nuk kanë çfarë të ndryshojnë, kanë pasur mundësi. E dimë çka është, presim të reja. E kemi fjalën e Faton Pecit, i urojmë shumë suksese e besojmë që do të fitojë, edhe pse ne kemi mendime të ndryshme, ne jemi shokë”, thanë këta dy qytetarë.
Balotazhi për Mitrovicë mbahet më 9 nëntor, ku qytetarët do të kenë mundësi të vendosin për kryetarin që do ti udhëheqë për katet vjetët e ardhshme./kp