Kush brenda LDK-së, AAK-së dhe Nisma-s po bisedon për bashkëqeverisje me Thaçin

Liderët e bllokut opozitar, ani pse patën firmosur një dokument ku zotoheshin se nuk do të pranojnë të takohen dhe t’i dëgjojnë ofertat e PDK-së për bashkëqeverisje, dyshojnë se zyrtarë brenda këtij blloku po e thyejnë “besëlidhjen” e liderëve.

Lajme

08/07/2014 22:05

Sipas televizionit Rrokum, disa zyrtarë të tri partive të koalicionit opozitar nuk po përfillin zotimin e liderëve të tyre, madje, sipas tyre, brenda këtyre partive kanë nisur edhe çarjet.

Partitë “opozitare” brenda vetes thuajse janë ndarë në dysh, një pjesë që do qeverisje me PDK-në, dhe pjesa tjetër që kërkon të mos bëhen hapa mbrapa nga koalicioni i lidhur ndëropozitar.

Sipas Rrokum, janë dy zyrtarë të LDK-së, një i AAK-së dhe një i Nisma-s, emrat e të cilëve janë të ditur për Televizionin, të cilët po takohen në mënyrë tinëzare me zyrtarët e PDK-së. Sipas këtyre burimeve, edhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj në takimin e djeshëm të kryesisë është informuar se dikush nga kjo parti po bisedon me përfaqësuesit e PDK-së.

“Dje në mbledhje është informuar kryetari Haradinaj se tinëzisht dikush nga udhëheqësit e partisë po takohet me disa zyrtarë të PDK-së, por kryetari ende nuk po mundet ta besojë që po i bëhet kjo mbrapa shpinës”, ka thanë ky burim.

Ndërkaq, nga LDK-ja, dy anëtarë të kryesisë së kësaj partie po takohen me përfaqësuesit e partisë së kryeministrit në detyrë Hashim Thaçi, për të marrë ofertën për bashkëqeverisje.

“Dy nga anëtarët tanë të kryesisë aktuale po takohen me ata të PDK-së për një koalicion të mundshëm. Ne kemi pak telashe me disa nga deputetët që kanë arritur të hyjnë në Parlament, sidomos me një grup që s’po e donë Ramushin për kryeministër. Për atë nesër e kemi mbledhjen me deputetët e ardhshëm dhe aty mbetet me u pa se çka po del nga kjo mbledhje”, i ka thënë televizionit Rrokum një burim brenda LDK-së, transmeton Gazeta plus.

Edhe ditë ma parë është raportuar se jo të gjithë zyrtarët e bllokut opozitar po e mbajnë fjalën e dhënë nga shefat e tyre, dhe qe bërë publike se përfaqësuesit e Nisma-s ishin takuar me përfaqësuesit e PDK-së.