Kusari – Lila: Serbia e Millosheviqit po funksionon ende me Vuçiqin ne krye të saj

Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila, ka thënë se sulmet me bombë ndaj KKZ-së në veri, tregojnë se cak janë institucionet e shtetit të Kosovës dhe qytetarët serbë që duan të jetojnë në dhe me shtetin e Kosovës. “Synimi për terror nga ana e Serbisë ndaj Kosovës nuk është ndalë…

Lajme

07/12/2022 12:35

Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila, ka thënë se sulmet me bombë ndaj KKZ-së në veri, tregojnë se cak janë institucionet e shtetit të Kosovës dhe qytetarët serbë që duan të jetojnë në dhe me shtetin e Kosovës.

“Synimi për terror nga ana e Serbisë ndaj Kosovës nuk është ndalë asnjëherë, vetëm ka ndryshuar madhësia e ndikimit dhe mënyra e aplikimit”, ka shkruar Kusari – Lila.

Tutje ajo tha se udhëheqësia serbe me zor tenton ta mbajë gjallë një konflikt të paqenë mes qytetarëve në baza etnike.

“Aleksandër Vuçiq nuk e ka interes integrimin dhe avancimin e serbëve në shtetin e Kosovës. E kundërta, ai kërkon që pakica serbe këtu të jetë e ndarë dhe kundër shtetit të Kosovës. Ata duan me zorr ta mbajnë gjallë një konflit të paqenë midis qytetarëve me bazë kombësie. Kështu besojnë se do ta mundësonin dezintegrimin e shtetit të Kosovës dhe shkatërrimin e të gjithë mekanizmave demokratik”, është shprehur Kusari – Lila.

Megjithatë, Kusari – Lila, tha se para nesh kemi qytetarët e ndershëm përballë bandave kriminale të Vuçiçit dhe policinë e Kosovës duke kryer detyrën e saj në mbrojtje të qytetarëve dhe institucioneve.

“Nuk ka askush problem me qytetatët serbë në Kosovë. Por Vuçiqi e ka problem që ata nuk punojnë të gjithë kundër shtetit të Kosovës. Fatkeqësisht, Serbia e Millosheviqit po funksionon ende me Vuçiqin ne krye të saj”, përfundoi Kusari – Lila.