Kusari-Lila: Reagime të paarsyeshme për rrënimin e objekteve të rrezikshme

Kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari -Lila, i ka thënë kolonelit të kontingjentit turk të KFOR-it dhe komandantit rajonal për Jugun, Omer Faruk Demircioglu, se ky vit ka qenë i vështirë për komunën që udhëheq ajo.

Lajme

30/10/2014 19:44

Kusari-Lila i ka informuar mysafirët për zhvillimet gjatë këtij viti qeverisës në Komunën e Gjakovës.

Përpos që ka pranuar vështirësitë, ajo ka thënë se në këtë komunë ka pasur edhe shumë zhvillime pozitive, si në tërheqjen e fondeve nga donatorët e huaj ashtu edhe në zbritjen e borxhit të trashëguar.

“Shumë projekte tashmë kanë filluar ose pritet të fillojnë nga iniciativa të ndryshme që janë ndërmarrë në kuadër të Kuvendit Komunal”, ka thënë Kusari – Lila.

Në njoftimin zyrtar të Komunës thuhet se gjatë takimit u diskutua edhe për zhvillimet e fundit që kanë ndodhur në Gjakovë, konkretisht për rrënimin e objekteve në rrugën “Mbretëresha Teutë”.

kryetarja e Gjakovës ka qartësuar edhe njëherë se procedura ka qenë sipas ligjit, ku janë informuar paraprakisht Ministria për Komunitete dhe Kthim, si dhe që vendimi është marrë pas konfirmimit se objektet paraqesin rrezik për jetën e qytetarëve, për trafikun dhe objektet fqinje.

“Rrënimi nuk ka qenë aspak vendim për të ngjallur reagime të ndryshme politike ose etnike, dhe pikërisht për këtë gjë është shtyrë edhe data e rrënimit, që ishte planifikuar për më herët”, ka thënë Kusari-Lila.

Në fund, kryetarja e Gjkaovës ka falënderuar kolonelin Demircioglu edhe për ndihmën që është duke e dhënë KFOR-i në projektin për parkun e qytetit, si dhe për bashkëpunimin konstruktiv në vazhdimësi, transmeton Kosovapress.