Kusari–Lila fton deputetët e opozitës që të votojnë Qeverinë Kurti

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila ka ftuar sot të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës që ta votojnë Qeverinë Kurti 2, duke thënë se një vullnet i tillë politik i dalë nga zgjedhjet e 14 shkurtit nuk është parë asnjëherë në Kosovë.

Lajme

22/03/2021 18:29

Kusari-Lila në fjalën e saj në Kuvendin e ri të Kosovës kërkoi nga kolegët e saj deputetë që të bashkohen në rrugëtimin për të shkruar një faqe të re të historisë së Kosovës, duke thënë se fati i vendit është në duart e të zgjedhurve të popullit.

“Përderisa të gjithë reflektojmë në rezultatin e zgjedhjeve, është shumë me rëndësi të kuptojnë të gjithë përfaqësuesit e popullit sot këtu në sallë për përgjegjësinë politike, institucionale dhe njerëzore që kemi… Qeverisja e mirë dhe modernizimi nuk mund dhe nuk duhet të importohen dhe të imponohen nga jashtë, ato duhet të burojnë nga ne. Të gjithë sot jemi akterë që kemi në dorë fatin e vendit tonë, andaj kryeministrit dhe qeverisë së re i urojmë sukses, i ofrojmë mbështetje të pa rezervë nga GP i LVV dhe iu thërras juve kolegë deputetë që të jemi bashkë në këtë rrugëtim, për të shkruar një faqe të re të historisë së Kosovës”, tha Kusari-Lila.

Mandatari për kryeministër Albin Kurti gjatë ekspozesë së tij ka thënë se nuk ka normalizim të marrëdhënieve me Serbinë nëse nuk njihet Kosova e pavarur.