Kusari-Lila: Është momenti vendimtar të mësojmë nga gabimet tona

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka deklaruar se kërkesa për mbajtjen e referendumit të Serbisë edhe në territorin e Kosovës është e padrejtë dhe në kundërshtim me kushtetutën e vendit.

Lajme

15/01/2022 15:31

Ajo tha se nuk haset një praktikë e tillë në asnjë vend dhe me lejimin e këtij procesi tha se shkelin dispozitat themelore të ligjit më të lartë kryesor, kushtetutës mbi përkufizimin e shtetit dhe sovranitetit.

Kusari tha se ndonëse ndër vite në Kosovë janë mbajtur zgjedhje serbe ndër vite, por që u shpreh se nëse kanë gabuar si shtet deri më tani është momenti vendimtar që të mësojnë nga gabimet.

“Kjo seancë sot mbahet për t’u përcjell qartë dhe drejtë qëndrimi i të gjitha grupeve parlamentare për arsyet pse nuk bënë assesi të mbahet referendumi i një shteti tjetër në territorin e Republikës së Kosovës. Kjo kërkesë është e padrejtë dhe është në kundërshti me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjeve të saj. Nuk e hasim një praktikë të tillë të realizuar ndonjëherë në territorin tonë dhe as në ndonjë vend sovran ku qytetarët pyeten për çështje tërësisht të brendshme të një shteti të huaj. Me lejimin e këtij procesi në Kosovë së pari shkelim dispozitat themelore të ligjit më të lartë kryesor Kushtetutës sonë mbi përkufizimin e shtetit dhe sovranitetit”, tha ai.

Kusari tha se nuk guxojnë të rrëshqasin në paradoksin juridik që do të lejonte mohimin e shtetësisë.

“Ne nuk guxojmë të rrëshqasim në paradoksin juridik që do të lejonte mohimin e shtetësisë sonë si në anën tjetër të lejonte që një pjesë e popullit të Kosovës të organizojë dhe votojë për referendum në territorin e shtetit të vet për referendumin e shtetit tjetër. Atëherë me vetëdije ushqejmë iluzionin e tyre se serbët që jetojnë në Kosovë së bashku me të gjithë ne, por ndaras prej nesh janë në një hapësirë tjetër me Serbinë. A duhet ne të punojmë rreth integrimit dhe barazisë në shoqërinë apo rreth krijimit të iluzionit të realitetit të ndarjes së etnive në shtetin tonë. Kjo pyetje duhet t’i shtrohet edhe miqve tanë ndërkombëtarë që e kanë njohur shtetin e Kosovës dhe kanë qëndruar krahë nesh gjithë procesit të shtetndërtimit”, tha ajo.

Kusari tha se është paradoksale të prezantohet se epilogu i dialogut Kosovë-Serbi është njohja e ndërsjellë ndërsa në të njëjtën kohë kërkohen koncesione nga Kosova të cilat e zgjerojnë hendekun që dërgon tek kjo njohje.

Kusari u shpreh se për Republikën e Kosovës nuk ka asnjë dilemë sa i përket funksionimit dhe zbatimit të ligjit të saj në territorin e saj dhe nuk ka asnjë dilemë në përkushtimin e saj në ruajtjen dhe në promovimin e vlerave demokratike e bashkë me të edhe në ruajtjen e sovranitetit të saj.

“Në Kosovë janë mbajtur zgjedhje serbe ndër vite, ato ishin kundërshtuar nga të gjithë njohësit e kushtetutshmërisë së Kosovës, të vlerësuara si zgjidhje praktike por me efekt kundërkushtetues. Është e padrejtë dhe politikisht jo korrekte që të bëjmë analogji duke u thirrur në mundësinë e mbajtjes së referendumit sipas praktikave të mëhershme aq më tepër që kemi të bëjmë referendum për një nismë të ndryshimeve kushtetuese që fare nuk kanë të bëjnë me rregullimin kushtetues të Republikës sonë. Për Republikën e Kosovës si shtet fqinj i Republikës së Serbisë është i rëndësishëm procesi reformues dhe integrues që po mundohet të ndërmerr apo të paraqet se po e ndërmerr Serbia në procesin e përafrimit me Bashkimin Evropian. Megjithatë, është e papranueshme që të na kërkohet ky proces të bëhet në kurriz të sovranitetit dhe shtetësisë së Kosovës. Si përmbyllje, nëse kemi gabuar si shtet deri më tani është momenti vendimtar të mësojmë nga gabimet tona”, tha ajo.  /Lajmi.net/