Kurti: Veriu kurrë s’ka qenë më i sigurt e më i zhvilluar, grupet kriminale ikën në Serbi ose janë në burgjet e Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se kurrë nuk ka qenë gjendja në veri të Kosovës, më e mirë dhe më e sigurt se sa tani. Kurti deklaroi se në katër komunat e veriut, ka siguri, zhvillim e demokraci. “Kurrë nuk ka qenë gjendja në veri më e mirë e më e sigurt se…

Lajme

29/11/2024 11:30

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se kurrë nuk ka qenë gjendja në veri të Kosovës, më e mirë dhe më e sigurt se sa tani.

Kurti deklaroi se në katër komunat e veriut, ka siguri, zhvillim e demokraci.

“Kurrë nuk ka qenë gjendja në veri më e mirë e më e sigurt se sa tani. Në katër komunat ka siguri, zhvillim e demokraci. Jo sa do të duhej, por pakrahasueshëm më mirë se sa ishte”, deklaroi Kurti.

Ai është pyetur se si i komenton dy sulmet e njëpasnjëshme që ndodhën dy ditët e fundit në komunën e Zveçanit, ku u përdorën granata dore. Me këtë rast kryeministri Kurti tha se ka keqbërës, e elemente terroriste por strukturat paralele, e grupet kriminale nuk janë më.

“Keqbërës, ndonjë element terrorist nuk është se nuk ka. Mirëpo strukturat paralele e grupet kriminale që kanë ekzistuar atje ose kanë ikur në Serbi, ose janë në burg në Kosovë apo strehohen jashtë rajonit tonë. Nuk kemi burime të brendshme të destabilitetit potencial apo të kërcënimit të sigurisë që nuk i menaxhojmë apo nuk ia dalim në ballafaqim me ta”,shtoi ai.

Kurti tha se këto janë akte kriminale dhe terroriste që duan të mbjellin frikë.

“Tash në Kosovë nuk mund të ketë as individ, as grup, e as strukturë që është më i fuqishëm se sa shteti i pavarur i Kosovës, Republika jonë demokratike që ngadhënjen me fuqinë e ligjit të drejtë”, përfundoi ai./Lajmi.net/