Kurti ‘vajton’ për Bilfingerin gjerman, derisa kundërshtoi “Kosovën e Re” dhe refuzoi Gazsjellësin Amerikan

Lajme

23/01/2022 16:36

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë ditës së sotme ka shkruar për rikthimin në prodhim të bllokut B2 të Termocentralit "Kosova B" me fuqi 245 MW. Ai në fund të shkrimit të tij në Facebook ka shkruar gjithashtu për termocentralin "Kosova A" duke thënë "Eh sikur ta kishim tash të rindërtuar nga Bilfingeri gjerman. Por, kryeministri Kurti sa ishte në opozitë kishte refuzuar ndërtimin e Termocentralit "Kosova e Re" dhe gjithashtu si kryeministër ka refuzuar gazsjellësin amerikan si projekt energjetik.

“Rreth 200 euro kushtoi 1 MWh në bursën ndërkombëtare të energjisë dje. Mirëpo sot në ora 10:15 u kthye në punë blloku B2 i TC ‘Kosova B’, me fuqi 245 MË. Sinkronizimi është bërë mbrëmë në ora 23:55, gjendja e turbinës është e mirë dhe nuk ka pasur nevojë për balancim. Me fjalë tjera, për çdo orë do t’i paguajmë rreth 50 mijë euro import më pak, e deri nesër në mëngjes rreth 1,2 milion euro më pak se gjatë ditëve të javës që po lëmë pas. Ky është lajm shumë i mirë për të gjithë neve. Eh sikur ta kishim tash TC ‘Kosova A’ të rindërtuar nga Bilfingeri gjerman dhe blloqet B3 dhe B4 me nga 300 MË fuqi secila.”, ka shkruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në Facebook.

Kurti flet për rikthimin e bllokut B2: A do të paguajnë qytetarët më pak rrymë?

Por, në vitin 2018, Lëvizja Vetëvendosje e udhëhequr nga kryeministri i tanishëm Albin Kurti kishte refuzuar kategorikisht ndërtimin e një termocentrali “Kosova e Re” me arsyetimin se do të ketë rritje të tarifave, rritje e cila sipas Lëvizjes Vetëvendosje aso kohe, nuk do të mirëpritej nga qytetarët, shkruan lajmi.net.

Aso kohe, Lëvizja Vetëvendosje kundërshtonte ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” nga Contour Global, duke e krahasuar me Zajednicën dhe duke thënë se do të rrëzohet qeveria në mënyrë që të ndalen këto procese.

“Kjo kompani do të ketë për detyrë të blejë tërë kapacitetin e termocentralit të ri. Pati apo nuk pati nevojë Kosova, atë energji kjo kompani do ta shesë më lirë sesa kostoja e prodhimit. Shteti në këtë rast e merr përsipër humbjen, e Contour Global e merr përsipër fitimin. Nuk mund të ndodhë askund në botë që komplet rrezikun e një biznesi ta bartë dikush tjetër. Kjo do të jetë drejtpërdrejt në kurriz të qytetarit. Qytetari do ta paguajë komplet rrezikun e kësaj kompanie”, deklaronte aso kohe deputeti, tash ministër i Infrastrukturës, Liburn Aliu nga Lëvizja Vetëvendosje.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, aso kohe deputet i Lëvizjes Vetëvendosje e kishte quajtur kontratën me Contour Global “hajni me transparencë”, duke e kundërshtuar kështu fuqishëm ndërtimin e termocentralit Kosova e Re.

“Kontrata me Contour Global, do të na fshijë trefishin e Bechtel&Enkas, por kësaj radhe me hajni me transparencë meqë u publikua kontrata”, thoshte kryeministri Kurti.

E pavarësisht kundërshtimit që iu bë “Kosovës së Re” nga Lëvizja Vetëvendosje, çmimet e energjisë elektrike në Kosovë do të rriten shumë pasi Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka vendosur që të aplikojë bllok-tarifë për konsumatorët.

Në anën tjetër, përveç termocentralit “Kosova e Re”, kryeministri Kurti si udhëheqës i ekzekutivit ka refuzuar projektin e gazsjellësit amerikan. Edhe ky projekt u refuzua nën arsyetimin se do të rriten çmimet e energjisë elektrike për qytetarët dhe do të jenë të papërballueshme.

Sipas kryeministrit të Kosovës, në periudhën kur mohohej refuzimi i projektit amerikan për gazin, ky projekt do të ndikonte në rritjen e çmimit të tarifave, duke thënë se projekte të tilla e definojnë sektorin e energjisë për gjenerata të ardhshme.

“Në mbi 10 dhjetë takime dhe punëtori të mbajtura gjatë kësaj periudhë me MCC kemi diskutuar në detaje për dizajnimin e projektet përmes të cilit do të përkrahje pjesërisht ndërtimi i infrastrukturës së gazit, por edhe për opsione të tjera siç janë investimi në kapacitetet e shpërndarjes dhe akumuluese në zhvillim të shkathtësive. Në gjitha këto takime ne kemi shtruar pyetje dhe kemi diskutuar analizën preliminare të investimit. Në veçanti se cila do të ishte kosto totale, çfarë pjesë do të ishte garant dhe sa duhet të marrim kredi si shtet. Kush do të operonte dhe ndërtonte Termocentralin, çfarë kushte dhe çfarë implikime do të kishte prodhimi i energjisë elektrike nga gazi dhe tarifat që do t’i paguajnë qytetarët dhe bizneset. Vendime të tilla definojnë sektorin e energjisë për gjenerata të ardhshme, prandaj ne jemi të përkushtuar t’i marrim të gjitha të dhënat që të marrim vendime të duhura…Për neve kjo nuk është vonesë, kujt i duket vonesë le ta kuptojë se është përgjegjësi dhe seriozitet. Nuk merren kuturu dhe shpejt e shpejt vendimet kaq të mëdha”, deklaronte ai.

Kurti gjithashtu në Kuvendin e Kosovës kishte deklaruar se gazi mund të jetë amerikan, por s’është e thënë. Ai gjithashtu kishte deklaruar se nuk ka të vërteta rreth gazsjellësit përmes Serbisë siç ishte raportuar në media, ndërsa ka thënë se fondet nuk do të rrezikohen pa treguar se ku do të kanalizohen ato.

“Kur po flasim për ndërtim të infrastrukturës në bashkëpunim me MCC-në, nuk jemi duke folur thjesht për gaz amerikan, por thjesht për ndërtim të infrastrukturës. Nëse do të ndërtonim një termocentral me gaz operatorët do të blinte në treg të ri gazin. Mund të jetë amerikan, por s’është e thënë. Të gjithë këta faktorë të shumtë po i marrim parasysh. Po ashtu duhet theksuar se kjo s’ka të bëjë me kërkesë të akterëve amerikan, MCC është organizatë amerikane e cila është duke përkrahur sektorin e energjisë në Kosovë, ne jemi duke falënderuar për këtë gjë dhe jemi mirënjohës për bashkëpunimin e deritanishëm… Sa i përket ndërtimit të gazsjellësit përmes Serbisë aty nuk ka asgjë të vërtetë. Ndërsa fondet që do të jenë nuk do të rrezikohen. Nuk do të rrezikojmë asgjë, më shumë rrezikojmë nëse marrim vendim pa analiza dhe studim të mirëfilltë paraprak”, shtoi Kurti.

Kurti edhe në një paraqitje të tij televizive në ATV ka deklaruar se ndërtimi i gypave do të finanxohej 25 përqind të shpenzimet kapitale nga MCC-ja dhe pjesa tjetër do të bëhej nëpërmjet kredive, ndërssa ka vënë sërish theksin te çmimet e tarifave.

“Me SHBA-të njerëzit mbase edhe kanë harruar pak, por ne operacionin kryesor që e kemi pasë sivjet është “Defender Europe 2021”. 330 pjesëtarë të FSK-së kanë marrë pjesë, 27 shtete në këtë ndërmarrje më të madhe ushtarake në Evropë me ç’rast në mesin e 16 shteteve nikoqire ishte edhe Kosova. Sa i përket gypave të gazit nuk është menduar që MCC-ja ta financojë atë, prapë është menduar që ne të marrim kredi. Te shpenzimet kapitale MCC-ja do të ndihmonte me 25%, por është ¼ e shpenzimeve kapitale ndërkohë që edhe shpenzimet operacionale janë 60 % të shpenzimeve kapitale. Ne duhet të jemi të kujdesshëm se çfarë çmimi do të paguajnë në fund qytetarët. Nuk është problemi vetëm se si të vendoset gypi Shkup-Prishtinë që ne e ndërtojmë vetë dhe mund ta ndërtojmë më vonë vetë me kredi sërish”, u shpreh Kurti.

Në anën tjetër, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli kishte deklaruar se paratë e grantit të MCC-së nuk do të humbin dhe se ato do të shfrytëzohen për projekte të tjera në investime të cilat janë të rëndësishme për dekarbonizimin e sektorit të energjisë.

“Do të mbeten tek energjia. Ne dje kemi lëshuar një komunikatë ku kemi njoftuar publikun se sëbashku me drejtoreshën menaxhuese për Evropë dhe Paqësor, Caroline Nguyen, e kemi nënshkruar një marrëveshje e cila parasheh që në muajt në vijim ne do të punojmë së bashku ngushtë për të dizajnuar projektet e reja të cilat mund të fokusoheshin në tri fusha, të cilat i kemi identifikuar dhe përzgjedhur sëbashku, këto janë: Investime në kapacitete akumuluese të energjisë; investime në avancimin e rrjetit elektroenergjetik duke përfshirë këtu avancimin e pajisjeve, investimet në rrjetin e mencur apo ‘smart grid’; por gjithashtu investimet në zhvillimin e shkathtësive të fuqisë punëtore me fokus të veçant tek gratë, e cila është tejet e rëndësishme për ne duke marrë parasysh se sektori i energjisë po kalon në një tranzicion të madh, të pa parë më herët, dhe nevojat për shkathtësi, teknologji gjithnjë po ndryshojnë dhe është tejet e rëndësishme që shktathtësitë e të rinjve tanë të jenë në përputhje me nevojat e tregut”, theksoi Rizvanolli gjatë një paraqitje televizive.

Ekspertët e sigurisë dhe të ekonomisë, muaj më parë për lajmi.net kishin theksuar rëndësinë e shumëfishtë të projektit të gazsjellësit amerikan për Kosovën.

Nuredin Ibishi, ekspert i sigurisë në një prononcim për lajmi.net kishte deklaruar se përveç si një resurs energjetik për Kosovën, Projekti i Gazit ka qenë një ofertë e mirë për t’i ikur interferimit ose implikimit të Rusisë në Ballkanin Perëndimor. Ai ka shtuar se Rusia është e interesuar të implikohet në aspektin e sigurisë dhe çështja e energjisë është një eksponent që shfrytëzohet.

“Së pari e shohim si një resurs energjetik i mirë për Kosovën dhe është një ofertë e mirë për me i ikë interferimit apo implikimit të Rusisë dhe realisht ka impakt. Unë po i përcjell tani analistat e të gjitha vendeve, që e shohin shumë interesimin e Rusisë në implikimin në aspektin e sigurisë dhe e shohin ni eksponent çështjen e energjisë. Mirëpo, nëpërmjet energjisë ata e shohin shtrirjen gjeostratetike. Nga ky kënd të vështrohet, mendoj se ka qenë shans shumë i mirë i Kosovës të përmbyllet ky kapitull i furnizimit me energji përmes gazsjellësit që financohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ne me e zgjedhë problemin që është gati kryesor për momentin. Ka edhe relacione të tjera, por do të zgjidhej ky problem.”, kishte thënë Ibishi për lajmi.net.

Tutje, Ibishi pati thënë se Kosova ka sasi të thëngjillit, por kjo shkakton ndotje. Sipas tij, çështja e ndikimit dhe implikimit të Rusisë mbetet faktori kyç pse Kosova duhej të pranonte projektin amerikan të gazjellësit.

“Realisht ne kemi sasi të thëngjillit, por po ndikon shëndetin dhe po shkakton ndotje. Mundësia pra me e përmbyllë, mendoj se vazhdon të jetë një shans i refuzuar tashmë meqë s’ka kaluar as si mocion në Kuvendin e Kosovës dhe unë mendoj se kjo duhet të rishqyrtohet dhe qeveria e ka lënë një afat të pacaktuar të shqyrtohet. Mendoj se është një çështje e rëndësishme të përmbyllet implikimi i Rusisë si një furnitor strategjik që tenton të futet në këtë pjesë të Ballkanit dhe kjo ka implikime edhe të sigurisë nëse nuk zgjedhjet kjo variant dhe zgjedhet një variant tjetër.”, tha Ibishi.

Në anën tjetër, eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu pati deklaruar se refuzimi i këtij projekti mund të ketë pasoja jo vetëm ekonomike, por edhe strategjike, politike dhe integruese.

“Në rend të parë duhet të kuptohet se partneriteti strategjik me SHBA-të është i pakontestuar, në rend të dytë çfarëdo që të bëjë Kosova e ka të vështirë t’i falënderohet SHBA-ve, qoftë për shtetndërtim, promovim e diplomaci. Kosova nuk e ka komoditetin e refuzimit të projekteve të partneritetit dhe projekteve amerikane. Është koha kur duhet të kemi analizë më të mirë, të kërkojmë sqarime dhe Kosova nuk ka nevojë të prodhojë politikë refuzuese, në veçanti kur edhe Serbia edhe SHBA-të, edhe Rusia edhe Kina janë në ofenzivë diplomatike jo vetëm në Kosovë por në tërë Ballkanin Perëndimor dhe mendoj se duhet të vazhdohet ky dialog dhe kjo formë e bashkëpunimit me shtetet mike e në veçanti me SHBA-të. Një refuzim i një projekti të tillë mund të ketë pasoja edhe politike, edhe integruese por edhe ekonomike e sociale, prandaj është koha kur duhet të veprohet e jo të refuzohet.”, kishte thënë Gërxhaliu për lajmi.net.

“Duhet të kuptohet se projekti i tillë duhet të analizohet në aspektin strategjik, integrues, social dhe ambientalist dhe vet fakti që po e faktorizon Kosovën në Ballkanin Perëndimor ku partner e ka Greqinë dhe Bullgarinë, besoj është përparësi. Nëpërmjet këtij projekti mund të kemi njohje të shpejtë nga Greqia. Kosova po bëhet një vend i interesave që lidhë Malin e Zi, Shqipërinë, Maqedoninë dhe përmes Kosovës importohet edhe në Serbi dhe mendoj që duhet të ketë analizë, por kurrësesi refuzim dhe të merren veprime të tilla politike dhe jo analitike.”, kishte deklaruar më tutje ai.

Pavarësisht kundërshtimit të ashpër të partive opozitare, përfundimisht, projekti amerikan për gazsjellësin ishte refuzuar nga institucionet e Kosovës, nën arsyetimin se fondet e njëjta do të përdoren për projekte të tjera në fushën e energjisë “me risk më të ulët”.

Nga ministria e Ekonomisë për lajmi.net patën deklaruar se projekti nuk është refuzuar, por fondet do të rialokohen për projekte me risk më të ulët.

“Projekti Kompakt i MCC-së nuk është refuzuar por fondet janë ri-alokuar për projekte me risk më të ulët, projekte të cilat poashtu do ta ndihmojnë Kosovën drejt dekarbonizimit, dhe të cilat përfshijnë: Forcimi i rrjetit; Akumulim të energjisë; dhe Zhvillim të fuqisë punëtore në fushë të energjisë me fokus në përfshirje të barabartë gjinore dhe incentiva të punësimit.”, thuhej në përgjigjen e Ministrisë së Ekonomisë për lajmi.net.

200 milionët e Gazsjellësit Amerikan do të investohen në “projekte me risk më të ulët”

Pavarësisht se Lëvizja Vetëvendosje dhe kryeministri Albin Kurti refuzuan dy projekte të mëdha në fushën e energjisë në Kosovë nën arsyetimin se do të rriten tarifat, pikërisht në qeverisjen e Kurtit çmimet e energjisë elektrike kanë arritur në një pikë që po konsiderohet e papërballueshme për qytetarët e Kosovës.

Se cila do të jetë mënyra që Kurti do ta nxjerrë Kosovën nga kriza energjetike dhe nëse do t’ia dalë ta bëjë këtë, ende nuk dihet – por ajo që dihet është se aktualisht qytetarët e Kosovës do të përballen me çmime astronomike të rrymës. /Lajmi.net/