Kurti thotë se po të takohej me Thaçin nuk do ta publikonte marrëveshjen me NATO-n

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mbajtur një konferencë të jashtëzakonshme për medie.

Lajme

26/02/2020 14:24

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një konference të jashtëzakonshme për medie, ka folur për marrëveshjen e cila është nënshkruar në mes të Kosovës dhe NATO-s në prill të vitit 213.

Tutje Kurti ka bërë të ditur se kjo marrëveshje është nënshkruar në Bruksel më 19 prill të vitit 2013 dhe se asnjë deputet nuk ka qenë në dijeni për këtë marrëveshje e cila është nënshkruar nga presidenti Hashim Thaçi, atë kohë kryeministër i vendit, raporton lajmi.net.

Por, për herë të parë, Kurti e pranoi arsyen përse e publikoi këtë marrëveshje.

Sipas tij, ai u detyrua ta publikojë këtë marrëveshje, pasi që nuk ka mundur të takohej me presidentin Thaçi, në të kundërtën siç u shpreh ai, po të takohej me të, nuk do ta publikonte marrëveshjen.

“Unë e publikova sepse mu bë e pamundur që të takohem dhe ta diskutoj me presidentin, por të më mundësohej, nuk do ta bëja një gjë të tillë”, deklaroi Kurti. /Lajmi.net/