Kurti: Të pavendosurit po vendosin të jenë me VV-në

Albin Kurti shpreson në votën e të qytetarëve apolitik. Ai thotë se VV do të fitojë më 8 qershor, duke u bazuar në, sipas tij, mbështetjen e shtuar të qytetarëve. 

Lajme

03/06/2014 15:42

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti beson në fitore duke u bazuar në vullnetin e votuesve të lëkundur dhe të pavendosur politikisht.

Në një tubim elektoral në Klinë, Kurti tha se shumë qytetar kohëve të fundit po i bashkohen Vetëvendosjes, duke e parë atë si alternativë të vetme politike.

“Lëvizja Vetëvendosje po fiton. Kjo po mundësohet nga pozicionimi i atyre që kanë qenë të lëkundur dhe të pavendosur politikisht, të cilët po bëhen pjesë e ndryshimit që do ta sjellë Lëvizja Vetëvendosje me fitoren e 8 qershorit”.

“Kryetari Albin Kurti tha se fitorja e Vetëvendosje është afër, meqë ditëve të fundit po bashkohen shumë përkrahës e mbështetës që po e shohin Lëvizjen Vetëvendosje si alternativën e vetme për të mirën e vendit. “Kësaj qeverie i kanë mbetur edhe 100 orë. Deri tash kemi pasur qeveri e shumë pak shtet. Kurse, pas 8 qershorit do të kemi pak qeveri e shumë shtet”.

Kurti tha se diferenca për fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje po zvogëlohet dhe, sipas tij, momenti i ndryshimit të madh po afrohet.

“Më 8 qershor përfundojnë të gjitha misionet e reja e të vjetra, sepse populli i Kosovës, qytetarët e Klinës tashmë e kanë zgjidhjen e tyre, e kjo zgjidhje e ka emrin Vetëvendosje”.

Gjatë tubimit u prezantuan kandidatët Rexhep Selimi, Shqipe Pantina dhe Leon Duhanaj.

“Të bashkohemi rreth Lëvizjes Vetëvendosje më 8 qershor se do të jetë edhe datë e bashkimit edhe e zhvillimit të vendit”, ka thënë ish deputeti dhe kandidati për deputet Rexhep Selimi. Ai ka thënë se Vetëvendosje çdo ditë e më shumë po rritet e të tjerët po zvogëlohen.

“Ju e dini se PDK-ja po bie e LDK-ja nuk është zgjidhja, kurse Vetëvendosje është Alternativa e vetme”, ka thënë Selimi.