Kurti: Të kërkosh Asociacionin pa e njohur Kosovën është si të kërkosh kafe pa filxhan

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka qëndruar në Turqi për një vizitë zyrtare, ku është takuar me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan. Ai ka zhvilluar edhe një intervistë për televizionin turk në gjuhën angleze, “TRT World”, ku ka folur për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe raportet me Serbinë. Kurti është pyetur edhe për çështjen…

Lajme

05/02/2023 00:12

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka qëndruar në Turqi për një vizitë zyrtare, ku është takuar me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan.

Ai ka zhvilluar edhe një intervistë për televizionin turk në gjuhën angleze, “TRT World”, ku ka folur për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe raportet me Serbinë.

Kurti është pyetur edhe për çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, ku ka thënë se së pari duhet të ketë njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë.

“Kam thënë edhe më herët, se të kërkosh Asociacionin pa e njohur Kosovën është si të kërkosh kafe pa filxhan. S’mund ta sjell kafen pa filxhan. Shteti është filxhani”, u shpreh ai.

Ndër të tjera, ai tha se nëse Serbia dëshiron të formojë asociacione një-etnike, sikurse atë që po e kërkon në Kosovë, “le të mendojë së pari ta bëjë atë në shtëpi…sepse ka më shumë pakica në Serbi se në Kosovë”.

Kryeministri u pyet nëse i dërguar i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Gabriel Escobar, po e shantazhin Kosovën në raport me themelimin e Asociacionit. Kurti nuk dha përgjigje konkrete ndaj kësaj pyetjeje.

“Zotëri Escobari është shumë aktiv dhe shumë i përfshirë, dhe e mirëpres këtë. E kam takuar disa herë. Duhet të jemi të kujdesshëm dhe të drejtë. Ato që unë po i paraqes si parime, si kushte, për çfarëdo lloj asociacioni, nuk janë qëndrimet e mia arbitrare apo mendimet e mia personale. Vullneti i popullit të Kosovës, kushtetutshmëria dhe ligjshmëria janë ato që më detyruan të them se së pari na duhet njohja reciproke dhe vetëm atëherë, ndonjë lloj asociacioni, të mos e harrojmë përvojën e hidhur nga Bosnja. 14 komuna me shumicë serbe u bënë bashkë në prill 1991, në janar 1992 e shpallën pavarësinë, në shkurt 1992 e bënë kushtetutën e tyre, më pas patëm luftën dhe në fund Republika Serbe. Ajo erdhi nga ky Asociacion”, tha kryeministri.

Kujtojmë se gjatë takimit Kurti-Erdogan, ky i fundit ka shprehur vullnetin për ta ndihmuar Kosovën drejt anëtarësimit në NATO dhe Këshillin e Evropës. /Lajmi.net/