Kurti takon Parolin: Vatikani të hapë mision të posaçëm në Kosovë

Kryeministri Albin Kurti gjatë një takimi në Nju Jork me kardinalin Pietro Parolin, ka kërkuar që Selia e Shenjtë të hapë misionin e saj në Prishtinë, duke ndjekur kështu shembullin e Kosovës me hapjen e misionit të saj në Vatikan. Kurti ka njoftuar sekretarin e Shtetit të Vatikanit rreth mbështetjes dhe mbrojtjes institucionale që Kosova…

Lajme

27/09/2024 20:11

Kryeministri Albin Kurti gjatë një takimi në Nju Jork me kardinalin Pietro Parolin, ka kërkuar që Selia e Shenjtë të hapë misionin e saj në Prishtinë, duke ndjekur kështu shembullin e Kosovës me hapjen e misionit të saj në Vatikan.

Kurti ka njoftuar sekretarin e Shtetit të Vatikanit rreth mbështetjes dhe mbrojtjes institucionale që Kosova i ofron objekteve të trashëgimisë kulturore dhe fetare.

Ai gjithashtu foli për përkushtimin e Kosovës për respektimin e të drejtave dhe lirive fetare, dhe për politikat sociale dhe masat e punësimit të qeverisë.

Kurti theksoi se Kosova është vend i të gjithë qytetarëve të saj dhe se në këtë drejtim Qeveria punon në sigurimin e mundësive të barabarta për të gjithë drejt zhvillimit ekonomik të sigurt.

Ndryshe, më herët këtë vit, Prishtina zyrtare ka hapur misionin e posaçëm në Vatikan, vend ky i cili ende nuk ka marrë vendimin për njohjen e shtetit të Kosovës.

Sipas Ligjit për shërbimin e jashtëm, misioni i posaçëm është një “mision i përkohshëm, që përfaqëson Kosovën në një shtet tjetër ose organizatë ndërkombëtare, me pëlqimin e tyre, për të negociuar ose kryer detyra të posaçme, të cilat janë në interes të Kosovës”. Themelimi, përbërja dhe funksionet e misionit të posaçëm përcaktohen me vendim të presidentit, pas konsultimit me kryeministrin.