Kurti takon ambasadorin që kishte kritikuar ashpër për listat e veteranëve

Gjatë ditës së sotme, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim ambasadorin e Zvicrës, Jean-Hubert Lebet, zëvendësshefen e Misionit, Pauline Menthonnex Gacaferri dhe zëvendësdrejtorin e Zyrës zvicerane për Bashkëpunim, Bernhard Soland.

Lajme

18/02/2020 21:28

Ambasadori, Lebet, shprehu gatishmërinë e tij që t’i bashkërendoi punimet me Qeverinë e Republikës së Kosovës për temat të cilat e preokupojnë këtë të fundit si dhe janë të gatshëm të ofrojnë ndihmesën e tyre në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Kryeministri Kurti e njoftoi ambasadorin me punët me të cilat po merret Qeveria, ku tani si prioritete kryesore janë fuzionimi i ministrive, draft-buxheti për vitin 2020 dhe se Zyra për Planifikim Strategjik është duke e përgatitur draft-programin qeverisës duke u mbështetur në marrëveshjen e dakorduar politike mes partnerëve të koalicionit.

Ambasadori, Lebet, ia dorëzoi Kryeministrit Kurti edhe urimin e Presidentes së Konfederatës së Zvicrës, Simonetta Sommaruga në të cilin Kryeministri urohet që të ketë suksese në zyrën e tij dhe se shteti i Zvicrës do të jetë bashkëpunues për zhvillimin e vendit dhe përherë afër në ruajtjen e paqes.​

Ndryshe, ambasadori Lebet në të kaluarën ishte njohur për deklaratat e tij për pensionet e veteranëve.

Ndër të tjera ai kishte përmendur numrin e madh të veteranëve të rrejshëm dhe shumën e madhe që shpenzohet nga buxheti i Kosovës. /Lajmi.net/