Kurti: Sot nuk duhet të mërzitemi për Astritin, sot duhet të mërzitemi për të gjithë qytetarët e Kosovës

17:24 | 12 Nentor 2016

Para ndërtesës së Burgut të Prizrenit, aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe qytetarë të shumtë kanë kërkuar drejtësi për Astrit Deharin.

Rreth orës 15:00 kur edhe kishte vdekur aktivisti Astrit Dehari,  aktivistët e vizatuan fytyrën e Astritit në muret e kësaj ndërtese famëkeqe ku vdiq  një i pafajshëm që po mbahej në paraburgim.

Deputeti dhe aktivisti Albin Kurti para protestuesve foli për punën dhe përkushtimin e madh të Astritit.

“Mbi Astrit Deharin është kryer krimi prej ditës që është arrestuar dhe deri atëherë kur e humbi jetën. Në kohën kur po dështonte përfundimisht procesi i montuar politik, kundër tij, në kohën kur u pa që është e pamundur të ngrihej aktakuza, përkundër shpifjeve e fabrikimeve, ndodhi kjo tragjedi, jo vetëm për familjen Dehari e Lëvizjen VETËVENDOSJE! por për mbarë Kosovën”, tha Kurti.

Astriti nuk ishte thjesht në burg. Astriti ishte i paraburgosur, pra nuk kishte as dënim, e as aktakuzë.

“Është situatë tjetër atëherë kur vdes një person në vuajtje të dënimit, por është diçka krejtësisht ndryshe kur dikush vdes në paraburgim, sepse Astriti, jo vetëm moralisht e politikisht, por edhe ligjërisht e nominalisht ishte i pafajshëm”, shtoi Kurti.

Ai nuk kishte vdekur nga medikamente të tepruara siç tha komandanti i policisë për rajonin e Prizrenit Nexhmi Krasniqi.

“Ne sot nuk duhet të mërzitemi për Astritin. Ne sot duhet të mërzitemi për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës se në çfarë vendi të pa sigurt e kaq shumë të rrezikuar individualisht dhe kolektivisht jetojmë ne për shkak të kësaj qeverie e të këtyre institucioneve të kapura”, tha më tej Kurti.

Astriti tërë kohën, kudo, është angazhuar për drejtësi për popullin e tash jemi ne, janë qytetarët, është populli ai që duhet të angazhohet për drejtësi për Astritin.

Në fund të fjalës së tij, Kurti tha: “Lavdi Astrit Deharit dhe të gjithë dëshmorëve, martirëve e veprimtarëve të çështjeve shoqërore e kombëtare”. /Lajmi.net/