Kurti shkoi në Suharekë për të kënduar me Shkurte Fejzën, por djali i saj sot zyrtarizoi kandidimin për deputet në PDK
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi sot ka njoftuar se partisë i është bashkuar edhe diplomati Arbër Behluli, i cili është djali i ikonës kulturore, këngëtares së shquar Shkurte Fejza, si dhe nipi i heroit Azem Behluli. Krasniqi i ka uruar mirëseardhje Arbër Behlulit, derisa ka thënë se ai do të jetë kandidat…
Lajme
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi sot ka njoftuar se partisë i është bashkuar edhe diplomati Arbër Behluli, i cili është djali i ikonës kulturore, këngëtares së shquar Shkurte Fejza, si dhe nipi i heroit Azem Behluli.
Krasniqi i ka uruar mirëseardhje Arbër Behlulit, derisa ka thënë se ai do të jetë kandidat i PDK-së për deputet.
“Me një master në politikat e Bashkimit Evropian, Arbëri ka ndërtuar karrierë të suksesshme edhe si ligjërues universitar, edhe si zyrtar i lartë në institucionet tona shtetërore. Tani, ai është gati të marrë mbi vete një sfidë të re, të formësojë të ardhmen e Kosovës nga brenda Kuvendit. Ekspertiza, vizioni dhe përkushtimi i palëkundur i Arbërit ndaj shtetit dhe qytetarëve tanë, e bëjnë atë një zgjedhje të jashtëzakonshme për këtë rol”, ka shkruar Krasniqi.
Ndryshe Behluli është zotuar se si deputet do të angazhohet për të lidhur brezat, duke siguruar që secili qytetar të kenë një zë në ndërtimin e një Kosove ma të mirë për të gjithë.
“Çdo hap që kam bërë deri sot, nga rritja në një shtëpi ku atdhedashuria ka qenë gjithmonë vlerë e pazëvendësueshme e deri te shërbimi në institucionet e vendit tonë, më ka përgatitur për këtë moment. Me besimin tuaj, si deputet i Kuvendit të Kosovës, qëllimi im është të sjell përvojën shumëvjeçare në krijimin e politikave që adresojnë sfidat reale të shtetit tonë, e posaçërisht në diplomaci”, ka thënë Arbër Behluli.
Javë më parë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti vizitoi qytetin e Suharekës, saktësisht Shtëpinë e Kulturës “Ukë Bytyçi”, të cilën e konsideroi si investimin më të madh të Qeverisë në Kulturë.
Kurti aty u takua me këngëtaren e mirënjohur Shkurte Fejza e cila edhe festoi 63 vjetorin e lindjes, shkruan lajmi.net.
Derisa në një moment u panë bashkë edhe duke kënduar këngën “Mora fjalë”.
Ndërkaq Kurti dhe Fejza kishin bashkëpunuar për të shënuar 50-vjetorin e karrierës së Fejzës me një organizim madhështor, ku këngëtarja e njohur e muzikës popullore shqiptare dha një performancë të paharrueshme.
Pavarësisht respektit të ndërsjellët duket se djali i Fejzës ka vendosur që rrugëtimin e tij në politikë ta fillojë me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK),
Nuk dihet ende nëse zgjedhja e Arbrit do t’i “dëmtojë” raportet ndërmjet Kurtit e Shkurtës.
Ndërsa Arbër Behluli kandidon për herë të parë në cilësinë e deputetit, pritet të shihet nëse do të mund të zë një karrige në Kuvendin e Kosovës. /Lajmi.net/