Kurti, Prokurorisë për padinë ndaj Thaçit e Veselit: 30 ditë heshtje varri

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thwnw se Prokurorinë Themelore në Prishtinë e ka kapluar një ‘heshtje varri’, pasi që edhe pas një muaji nuk kanë dhënë asnjë informacion rreth padisë që ai ka bërë ndaj Hashim Thaçit e Kadri Veselit për ‘kallëzim të rremë’, kur kanë dëshmuar në rastin e  ‘Syrit të Popullit’.

Lajme

25/05/2019 12:41

Sipas Kurtit, edhe pas një muaji, ende nuk dihet nëse është marrë ndonjë vendim për hapje të hetimeve, transmeton lajmi.net.

“30 ditë heshtje varri, asnjë veprim, asnjë informatë nga Prokuroria Themelore në Prishtinë. Ky mosveprim e mosinformim i paraqitësve të kallëzimit penal është presion i drejtpërdrejtë mbi qytetarët për të heshtur para krimit institucional, sidomos ndaj atyre që ndodhen në majat e insitucioneve shtetërore. Por, kështu nuk mendon edhe prokuroria, thua se nuk është aty për të luftuar krimin, por për ta mbrojtur atë nga qytetarët”, ka shkruar Kurti.

Reagimi i plotë:

Letër e hapur

Sot u bë një muaj nga dita e paraqitjes së kallëzimit tonë penal kundër Presidentit të Kosovës dhe Kryetarit të Kuvendit.

Më 25 prill 2019, në Departamentin për Krime të Rënda të Prokurorisë Themelore në Prishtinë bëmë kallëzim penal kundër z. Hashim Thaçi dhe z. Kadri Veseli, për lajmërim apo kallëzim të rremë, sipas kuptimit të Nenit 382, par. 1, 2 dhe 4, dhe deklaratë të rreme nën betim, sipas kuptimit të Nenit 383, par. 1 dhe 2, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK) Nr. 06/L-074.

Askush nga Prokuroria nuk na thirri asnjërin prej nesh. Ne nuk dimë nëse është marrë Aktvendim për hapjen e hetimeve. Nëse ka filluar marrja në pyetje e dëshmitarëve. Përkundër faktit që jemi palë në procedurë dhe sipas Kodit të Procedurës Penale të Kosovës kemi të drejtë të jemi të informuar në lidhje me procesin – ne nuk kemi asnjë informatë deri më tash.

30 ditë heshtje varri, asnjë veprim, asnjë informatë nga Prokuroria Themelore në Prishtinë. Ky mosveprim e mosinformim i paraqitësve të kallëzimit penal është presion i drejtëpërdrejtë mbi qytetarët për të heshtur para krimit institucional, sidomos ndaj atyre që ndodhen në majat e insitucioneve shtetërore. Por, kështu nuk mendon edhe prokuroria, thua se nuk është aty për të luftuar krimin, por për ta mbrojtur atë nga qytetarët.

Veprimin e hapjes së hetimeve për deklaratat në seancën gjyqësore të datës 28 dhjetor 2018 sipas detyrës zyrtare si detyrim ligjor duhej ta bënte prokurori i rastit. Heshtje. E nëse nuk është tamam heshtje, është veçse fërkim duarsh.

Mund të ndodhë që interesimi ynë për veprimet e ndërmarra nga Prokuroria për rastin të kualifikohet si ndërhyrje në drejtësi. Porse ky është refreni i njohur i papërgjegjësisë institucionale që flet kur s’duhet, meqë nuk vepron kur duhet.

Ne po presim. Dhe, nuk do të heshtim. /Lajmi.net/