Kurti pret kryediplomatin maqedonas, me vete në takim e merr edhe Hysen Durmishin

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendësministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka pritur në takim Ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.

Lajme

23/04/2021 13:43

Ministri Osmani ka uruar kryeministrin Kurti për fitoren në zgjedhjet e 14 shkurtit dhe për procesin zgjedhor demokratik dhe institucionet e reja të dala nga ky proces.

Ai theksoi që kjo ishte vizita e tij e parë zyrtare në Kosovë, që kur është zgjedhur Ministër i Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë së Veriut, më 30 gusht 2020.

Gjatë takimit u vlerësuan marrëdhëniet mes Republikës së Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, si model i fqinjësisë së mirë.  Kryeministri Kurti dhe ministri Osmani biseduan për veprime konkrete dhe koordinim më të mirë mes dy qeverive, për të lehtësuar transportin rrugor dhe qarkullimin e mallrave.

Po ashtu u dakorduan lidhur me hapat e mëtejmë rreth organizimit të mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, ku do të nënshkruhen një sërë marrëveshjesh mes të dy shteteve.

Ministri Osmani u shpreh i lumtur për konfirmimin e pjesëmarrjes së kryeministrit Kurti në Samitin e Prespës, që planifikohet të mbahet në korrik të këtij viti.

Temë e takimit ishte edhe çështja e integrimit evropian, ku kryediplomati konfirmoi mbështetjen e vazhdueshme të Maqedonisë së Veriut për Kosovën në rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s.