Kurti premton nxjerrjen e Kosovës nga mjerimi e varfëria (Video)

Sistemi aktual i pensioneve në Kosovë është barrë e rëndë për buxhetin e Kosovës dhe si i tillë nuk siguron jetë të dinjitetshme, ka deklaruar lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. Ai ka thënë se nëse Vetëvendosje vjen në pushtet pas 8 qershorit, do të bëj ndryshimin e këtij sistemi.

Lajme

16/05/2014 16:15

Kurti gjatë prezantimit të politikave sociale dhe sistemin pensional, kanë thënë se skema pensionale e Vetëvendosjes do të krijojë kushte për jetë më të mirë dhe sistem të qëndrueshëm pensional.

Ai ka thënë se në alternativen qeverisëse të Vetëvendosjes ka tri shtylla të cilat do ta përbëjnë shtetin republikan: shteti i së drejtës; shteti zhvillimor dhe shteti social.

“Shteti social është shtet i qytetarëve, sepse është shtet që i shërben pikërisht atij, dhe atyre shtresave shoqërore që kanë më së shumti nevojë. Shteti duhet tu ndihmoj së pari atyre që i  kanë nevojat më të mëdha”.

“Ky shtet social e siguron shoqërinë e zhduk dallimin diskriminues, e margjinalizon shtypjen dhe shfrytëzimin, e barazon gruan, e nxjerrë nga mjerimi e varfëri, u garanton qasje në të mirat të gjithë qytetarëve” , tha lideri i Vetëvendosjes.

Vetëvendosje ka premtuar se nëse ajo e fiton pushtetin në zgjedhjet parlamentare të 8 qershorit, atëherë brenda mandatit të saj qeverisës pensioni bazë do të bëhet 100 euro, ndërsa pensioni kontribut-dhënës do të jetë mbi 260 euro.

Kurti gjatë konferencës për media ka komentuar edhe premtimet që po bën kryeministri në ike, Hashim Thaçi. Ai ka thënë se në Kosovë me 8 qershor zgjedhja do të jetë midis përsëritjes dhe ndryshimit, dhe se ata që e duan përsëritjen, janë ata që kanë përfituar në kurriz të popullit.

“Nuk mund të kesh fond të punësimit pa shtet zhvillimor. Fondi i punësimit pa shtet zhvillimor, është fond i hajnisë. Këta po dëshirojnë të vjedhin dhe këtë po e thonë hapur. Unë e di që në Kosovë është problem transparenca, por të këqijat më të mëdha po bëhen në mënyrë transparente”, ka thënë Kurti.