Kurti për darkën me Vuçiqin: I këtillë jam e njësoj ndjehem, aty s’pati gjella të ndryshme

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka folur pas takimit që ka pasur me ministren gjermane të Mbrojtjes.

Lajme

05/05/2022 18:35

Ai nga gazetarët është pyetur nëse ka thyer parimet mbrëmë, kur darkoi me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq, shkruan lajmi.net.

Kurti tha se ai mbrëmë sipas tij përfaqësoi vullnetin e popullit dhe mbrojti interesat e shtetit.

“Unë edhe mbrëmë si kryeministër kam përfaqësuar vullnetin e popullit, kam mbrojtur interesat e shtetit, dhe duke e pasur për dysheme dhe tavan kushtetutshmërinë dhe ligjin e Kosovës. Pavarësisht se a ka darkë dhe çfare është, unë i këtillë jam, dhe njësoj ndjehem. Me shumë përgjegjësi për detyrën që mbaj, por edhe me krenari për këtë përgjegjësi që më është besuar. Ne nuk duam dialog pa parime. Dhe parimet janë barazia e palëve. Në atë darkë nuk kemi pasur gjella të ndryshme. Pra ka qenë barazia e palëve.  I kemi diskutuar temat në dritën e takimit të 13 majit mes kryenegociatorëve”, tha Kurti.

“Me 13 maj shpresoj që përfundimisht do t’i kemi marrëveshjet edhe për targat edhe sa i përket çështjes së mospagesës së energjisë në veri”, tha kryeministri. /Lajmi.net/