Kurti: Pas zgjedhjeve do të shpërbëhen koalicione aktuale
Kandidati i Vetëvendosjes për kryeministër, Albin Kurti ka thënë se pas zgjedhjeve të 11 qershorit do të shpërbëhen koalicionet e mëdha, PDK-AAK-Nisma dhe koalicioni LDK-AKR-Alternativa.
Lajme
“Pas këtyre zgjedhjeve do të shpërbëhen këto koalicione dhe do të shohim se çka do të ndodhë me to, poashtu kemi obligim kushtetues që në Qeveri të kemi ministra nga pakicat, por është herët të flasim”, ka deklaruar Kurti gjatë një takimi me studentë në kolegjin ISPE, shkruan lajmi.net
Kurti ka thënë se Vetëvendosje do t’i fitojë zgjedhjet, ndërsa ka premtuar reduktim të numrit të ministrive,
Ai ka thënë se secila ministri do të ketë vetëm nga një zëvendësministër, në mënyrë që të kursehet buxheti i shtetit. Kurti ka thënë po ashtu se Qeveria e drejtuar nga Vetëvendosje do të ketë koordinim më të madh me shtetin shqiptar.
“Ne nuk vijmë në pushtet për inati të askujt, apo kundër askujt, por për forcimin e shtetit… Ne do të jemi në koordimin të vazhdueshëm me Tiranën zyrtare. Kemi raporte shumë të mira me Partinë Socialiste, me kryeministrin Edi Rama dhe vazhdimisht do të koordinohemi”, ka thënë Kurti. raporton lajmi.net.
Ai më tej ka thënë se Kosova meriton të ketë simbole tjerë, por sipas tij çfarëdo ndryshimi që do të bëhen, duhet të bëhen duke u bazuar në ligj.
Ndërsa duke folur për liberalizimin e vizave, Kurti ka thënë se ky proces më shumë ka të bëjë me Sundimin e Ligjit, sesa me demarkacionin me Malin e Zi.
Ai gjithashtu ka thënë se Marrëveshja për Demarkacionin e Kufirt me Malin e Zi është e dëmshme. “Së pari duhet të ketë delimitim të kufirit e pastaj mund të bëhet demarkimi. Pa delimitim të kufirit, demarkacioni është realisht ndryshim i kufirit”, ka shtuar Kurti. /Lajmi.net/