Kurti: Nuk kam nevojë për tre zëvendësa dhe 35 këshilltarë

10:26 | 16 Shtator 2019

Albin Kurti ka deklaruar se gjëja e parë që do të bëjë në qeveri do të jetë zvogëlimi i qeverisë dhe zgjerimi i shtetit.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka deklaruar se gjëja e parë që do të bëjë në qeveri do të jetë zvogëlimi i qeverisë dhe zgjerimi i shtetit duke shtuar se ai nuk ka nevojë për 3 zëvendësa dhe 35 këshilltarë.

Kurti këto komente i bëri gjatë tri takimeve me qytetarë në Podujevë, ku tha se mbështetjen për prodhimin vendor, shpërndarje, por edhe në konsum, qeveria e Lëvizjes do ta garantojë përmes ligjit për mbrojtjen e prodhimit vendor.

“Shteti si konsumator do të jetë konsumues i prodhimeve vendor më së pari”.

Në tubime morën pjesë edhe kandidatët për deputetë të Lëvizjes, Ajet Potera, Sabri Kiçmari, Shpejtim Bulliqi, Mevlyde Hyseni, Fitim Haziri, Fatmir Humolli dhe Fjolla Ujkani duke mbajtur fjalët e rastit, transmeton “Kosova Press”.

Sabri Kiçmari tregoi gatishmërinë e qytetarëve dhe të Lëvizjes për t’i nxjerrur në pension qeveritë e deritanishme bashkë me mentalitetin e tyre. Ndërsa, Shpejtim Bulliqi shprehu bindje se fitorja e Lëvizjes do vijë falë bashkimit të qytetarëve të të gjitha gjeneratave që identifikohen me qëllimin tonë.

Ajeti Potera u zotua për mbështetjen e duhur buxhetore për ushtrinë.