Kurti në takim me të dërguarin e Gjermanisë: Serbia të ndëshkohet ndërkombëtarisht

Përfaqësuesi i Posaçëm i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, sërish po qëndron në Kosovë pas sulmit terrorist në veri të vendit. Ai të dielën është takuar me kryeministrin, Albin Kurti. Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, Kurti, theksoi në takim se me dëshmitë e mbledhura vërtetohet se prapa sulmit terrorist qëndron shteti i Serbisë…

Lajme

01/10/2023 17:51

Përfaqësuesi i Posaçëm i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, sërish po qëndron në Kosovë pas sulmit terrorist në veri të vendit.

Ai të dielën është takuar me kryeministrin, Albin Kurti. Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, Kurti, theksoi në takim se me dëshmitë e mbledhura vërtetohet se prapa sulmit terrorist qëndron shteti i Serbisë

Ai ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare që Serbia të ndëshkohet për aktin agresor ndaj Republikës së Kosovës.

“Kryeministri Kurti theksoi që dëshmitë e mbledhura përgjatë hetimeve të realizuara pas sulmit kriminal dhe terrorist, faktojnë e dëshmojnë përfshirjen e drejtpërdrejtë të institucioneve shtetërore të Serbisë në këtë akt agresioni ndaj Republikës së Kosovës, për të cilin Serbia duhet të sanksionohet e ndëshkohet ndërkombëtarisht. Pas dështimit të sulmit të armatosur me formacionet para-ushtarake të udhëhequra nga Milan Radoiçiq, marshimi dhe vendosja e trupave ushtarake serbe përgjatë kufirit me Kosovën ishte hapi i radhës i institucioneve të Serbisë për të kërcënuar integritetin territorial të vendit tonë dhe mbështetur një agresion të mundshëm ushtarak kundër Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.

Në këtë takim ishte i pranishëm edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Jörn Rohde, si dhe Zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi dhe zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti.

Kujtojmë se sot janë bërë një javë nga sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit ku mbeti i vrarë rreshteri, Afrim Bunjaku.