Kurti në Gllogjan lartëson Haradinajt: I dhanë mesazh Serbisë se nuk mposhtet UÇK-ja, s’gjunjëzohet kulla

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka marrë pjesë në shënimin e 25 vjetorit të Epopesë së Dukagjnit në Gllogjan. Para të pranishmëve, Kurti ka thënë se Serbia, në betejën e 24 marsit, mori mesazh nga Haradinajt se UÇK-ja nuk mposhtet, e kulla nuk gjunjëzohet, shkruan lajmi.net. “Beteja e ashpër e 24 marsit dëshmoi guximin dhe…

Lajme

24/03/2023 13:40

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka marrë pjesë në shënimin e 25 vjetorit të Epopesë së Dukagjnit në Gllogjan.

Para të pranishmëve, Kurti ka thënë se Serbia, në betejën e 24 marsit, mori mesazh nga Haradinajt se UÇK-ja nuk mposhtet, e kulla nuk gjunjëzohet, shkruan lajmi.net.

“Beteja e ashpër e 24 marsit dëshmoi guximin dhe vendosmërinë e familjes Haradinaj dhe popullit tonë në rrugën e nisur drejt çlirimit. Nuk gjunjëzohet kulla, nuk mposhtet UÇK-ja, nuk mposhtet Kosova. Ky ishte mesazhi që Serbia fashiste e mori nga kulla e bacës Hilmi. Ata mbajtën në këmbë kullën, në këmbë popullin”, tha Kurti.

Kurti ri-rrëfeu pak edhe momentet kur forcat serbe kishin sulmuar pozicionet e Haradinajve.

“Të vendosur në katër pozicione, Hilmi Hardinaj së bashku me Mejremen dhe Frashërin. Ramush Haradinaj së bashku me Bujarin, Dauti me Rasimin e Kujtimin dhe Shkëlzeni me Enverin mbajtën në këmbë kullën, mbajtën në këmbë popullin. Në po atë ditë ranë dëshmorë Gazmend Mehmetaj, Himë Haradinaj dhe Agron Mehmetaj, sakrificën e të cilëve sot e nderojmë dhe e kujtojmë me respektin më të lartë”, tha ai.

Ai tha se familja Haradinaj ia di vlerën lirisë, duke përmendur faktin se tani në FSK është Luan Haradinaj i ri. /Lajmi.net/