Kurti: Mungesa e sanksioneve e ka trimëruar Serbinë

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, bashkë me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçlan, pas mbledhjes së qeverisë kanë thirrur konferencë për media. Kurti nga këtu, foli për rrëmbimin e policëve të Kosovës më 14 qershor të viti të kaluar, sulmin në Banjskë të 24 shtatorit, dhe arrestimet e fundit që ndodhën dje nga autoritet…

Lajme

18/04/2024 14:22

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, bashkë me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçlan, pas mbledhjes së qeverisë kanë thirrur konferencë për media.

Kurti nga këtu, foli për rrëmbimin e policëve të Kosovës më 14 qershor të viti të kaluar, sulmin në Banjskë të 24 shtatorit, dhe arrestimet e fundit që ndodhën dje nga autoritet serbe ndaj qytetarëve të Kosovës.

Tutje Kurti ka thënë se askush nuk ka të drejtë të ndalojë lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës në vendet e BE-së.

“Po të kishte sanksione ndaj Beogradit atëherë kur u rrëmbyen tre policët tanë, më 14 qershor të vitit të kalaur në veri të Kosovës, ose atëherë kur u vra rreshteri Afrim Bunjaku nga një grup i paramilitarëve më 24 shtator të vitit të kaluar, ne nuk do të ndodheshim në këtë gjendje. Sot arrestimet në masë që i bën Serbia të qytetarëve të vendit tonë, qofshin ata qytetarë të zakonshëm që e përdorin Serbinë si vend tranzit për t’u kthyer në Kosovë nga vendet e Bashkimit Evropian apo për të shkuar atje, qofshin ata zyrtarë shtetërorë si puna e zëvendësdrejtorit të Policisë, këto nuk do të vinin në shprehje, sikur Serbia të ndodhej nën sanksione”, tha Kurti.

Kurti tha se mungesa e sanksioneve “e ka trimëruar Serbinë”, ndërsa uroi që kjo sjellje e Beogradit “të paraqesë një etapë të re”, në të cilën “do të kuptohet që Kosova është shteti demokratik” dhe se “Serbia është praktikisht shtet mafioz”.

“Mungesa e sanksioneve ndaj Serbisë e ka trimëruar atë dhe unë uroj që ky trimërim i agresivitetit të Serbisë që vjen si pasojë e një nervoze të padurueshme të brendshme të saj, që rezulton nga sukseset e shtetit tonë, të paraqesë një etapë të re, në të cilën do të kuptohet që Kosova është shteti demokratik, Kosova është shteti i së drejtës, që Kosova respekton liritë dhe të drejtat e qytetarëve, ndërkaq Serbia praktkisht është shtet mafioz, ku një person publikisht lanson fushatë përndjekëse ndaj të gjithë të tjerëve”, tha Kurti.

“Unë besoj që zyrtarët e Brukselit do ta kenë parë konferencën për media të cilën e ka mbajtur presidenti i Serbisë në kazermën ‘Vasa Çarapoviq’ në Beograd të shtunën që shkoi, pikërisht kur u bënë 10 muaj të rrëmbimit të tre policëve tanë, Beqir Sefës, Rifat Zekës edhe Shemë Mustafës dhe në ditëlindjen e njësitit special ushtarak ‘Kobra’ i cili i kishte rrëmbyer ata polic. Shteti mafioz ku kryemafiozi është njeri publik, më publik atje duke qenë president i Republikës, nuk është ndryshe”, shtoi ai.

Më tej, kryeministri përmendi shkeljet që tha se Serbia ia ka bërë marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve.

Ai tha se Brukseli reagoi për ndalimin e shtetasve të Kosovës në kufirin Kroaci – Serbi “sepse nuk do të kishte kurrfarë kuptimi më nëse nuk do të reagonte”.

“Por unë sërish mbetem me shpresë që do ta fillojmë një etapë të re, në të cilën do të kuptohet që e kemi një shtet demokratik si Kosova dhe një shtet mafioz si Serbia, e cila e ka këtë president në krye, që është më së paku president, e zakonisht o kryeprokuror, o kryepolic”, përsëriti kryeministri.