Kurti: Masterplani i kompleksit memorial “Adem Jashari”, një nga proceset më të rëndësishme dhe delikate të Kosovës

Sot është shpalosur koncepti fitues në konkursin ndërkombëtar për masterplanin e Kompleksit Memorial “Adem Jashari” në Prekaz. Në fjalën e tij Kurti tha se është një nga proceset më të rëndësishme dhe më delikate të Kosovës, pasi sipas tij, në Kompleksin Memorial, ku ruhen gjurmët e veprës heroike të familjes Jashari, të gjithë kthehen ta…

Lajme

05/08/2024 19:39

Sot është shpalosur koncepti fitues në konkursin ndërkombëtar për masterplanin e Kompleksit Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Në fjalën e tij Kurti tha se është një nga proceset më të rëndësishme dhe më delikate të Kosovës, pasi sipas tij, në Kompleksin Memorial, ku ruhen gjurmët e veprës heroike të familjes Jashari, të gjithë kthehen ta kujtojnë çmimin dhe rrënjët e lirisë

“Kompleksi memorial në Prekaz  Adem Jashari është vendi më i rëndësishëm i kujtesës kombëtare e koceptuar si oda e kombit”, ka thënë Kurti.

Kurti mes tjerash ka njoftuar se propozimi fitues i masterplanit për kompleksin “Adem Jashari”, zë një hapsirë prej 450m katrorë.

I pari i vendit tha se pas nënshkrimit të kontratës do të vazhdojnë me hartimin e masterplanit ku dhe do të vazhdohet me hapat drejt realizimit të planeve dhe projekteve përbërëse.

“Jemi shumë të lumtur që ky masterplan do të hartohet nga një ekip ndërkombëtar me përvojë shumëdekadëshe”, tha Kurti.

Tutje, kreu i qeverisë ka thënë se ka bindjen që ky masterplan do të ofrojë një interpretim dinjitoz e gjithëpërfshirës për rrëfimin e historisë së familjes Jashari, rrëfim që sipas tij, do t’i tejkalojë barrierat kohore të brezit tonë dhe ato hapësinore të vendit tonë, teksa shtoi se kujtimin për veprën heroike të familjes Jashari do ta shndërrojë në përjetësi botërisht. /Lajmi.net/