Kurti: Lakmia për pushtet bëri që LDK e AAK t’i nënshtrohen Thaçit

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, thotë se LDK dhe AAK në disa raste kanë shërbyer si paterica të Qeverisë Thaçi. Ai thotë se pas zgjedhjeve do mendojnë për koalicione. Përshëndet nismën e Jakup Krasniqit dhe Fatmir Limajt për të themeluar partinë e tyre.

Lajme

19/02/2014 08:07

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti mendon se opozita ka pasur numrat që ta rrëzojë edhe më herët Qeverinë por ka munguar vullneti.

Në një intervistë dhënë për “Epoka e Re”, Kurti thotë se LDK’ja dhe AAK’ja, janë bërë paterica të Qeverisë, duke mos luajtur rolin e opozitës, veçmas në “proceset e dëmshme” të vendit.

“Lëvizja Vetëvendosje qysh në shtator 2011 ka kërkuar dorëheqjen e kësaj qeverie si i vetmi subjekt që e ka bërë këtë në mandatin aktual, sepse e kemi vlerësuar atëherë se kjo qeveri po e gjymton shtetin e Kosovës si në aspektin politik në negociata me Serbinë, po ashtu edhe në atë ekonomik me privatizimin e egër neolibera”l.

“Gjithmonë jemi përgatitur për zgjedhje parlamentare sepse gjithmonë jemi gati për zgjedhje parlamentare. Opozita që nuk është e gatshme për zgjedhje të reja nuk është opozitë.

“Opozita i kishte numrat edhe më herët, por nuk e kishte vullnetin”.

“E vetmja opozitë në këtë legjislacion ka qenë Lëvizja Vetëvendosje”.

“Dy partitë e tjera opozitare, LDK’ja dhe AAK’ja nuk e kanë luajtur rolin e opozitës, sidomos në momentet vendimtare i janë bërë patericë Qeverisë në proceset e dëmshme në të cilat ajo e ka katandisur vendin”.

“Thjesht, frika nga pushteti dhe lakmia për pushtet kanë bërë që LDK’ja dhe AAK’ka t’i nënshtrohen Thaçit. Mbase këtu ka ndikuar fakti se të tria këto janë parti simotra në rrafshin ideologjik- që të tria janë parti të djathta”.

Albin Kurti thotë se Vetëvendosje nuk mendon për koalicione. Ai thotë se ata në këto zgjedhje parlamentare do të garojnë me programin e tyre.

“Lëvizja Vetëvendosje garon me konceptin dhe programin e saj politik për të fituar. Të mendosh për koalicion është të mendosh për pushtet. Të mendosh për rrëzimin e kësaj qeverie është të mendosh për pushtet. Prandaj, nuk mendojmë për koalicione”.

Duke parë praktikat e partive të tjera, të cilat tashmë kanë deklaruar se kush do të jetë kandidati i tyre për Kryeministër, Kurti thotë se ata vënë në radhë të parë njeriun e pastaj konceptin.

Prandaj, ai thotë se në Vetëvendosje është e kundërta. Akoma, ai nuk ka dhënë ndonjë emër se kush do të mund të jetë kandidat i Vetëvendosjes për Kryeministër.

“Tek të gjithë ata së pari vjen personi e pastaj eventualisht koncepti”.

“Koncepti i Vetëvendosjes është të fitojë, vendi duhet të qeveriset në bazë të programit dhe me alternativën qeverisëse të saj, ndërsa në krye të qeverisë do të jetë ai që ne mendojmë se është i duhuri për të zbatuar këtë program. Nuk mund të fitojë unë dhe asnjëri prej nesh pa fituar njëherë Lëvizja jonë”.

“Vetëvendosje është e ardhmja e këtij vendi. Është momenti i fundit ta bëjmë shtetit. E këtë mundet vetëm Lëvizja Vetëvendosje, që ka alternativën qeverisëse të qartë”.

Albin Kurti thotë se pasi që Vetëvendosje “të del e para” në zgjedhje do të mund të shikohet se me kë ka përputhje programesh dhe më pas mund të bëhen koalicione.

Ai përshëndet nismën e Jakup Krasniqit dhe të tjerëve për të themeluar partinë e tyre, dhe thotë se me Kryeparlamentarin ka vërejtur se ka përputhje konceptesh, por ka thënë se për bashkëpunim me dikë duhet shikuar programet.

“Çfarëdo koalicioni eventual mund të vijë në shprehje pas zgjedhjeve, me fitoren e Vetëvendosjes, pra pasi të dalim subjekti i parë në zgjedhje. Mandej do t’i shikonim përputhjet programore dhe besimin e ndërsjellë me të tjerët”.

“Me kryeparlamentarin Krasniqi sigurisht se kemi bashkëpunuar përgjatë këtij mandati të Kuvendit dhe votimet e tij për projekt-ligje e rezoluta të ndryshme janë pothuajse identike me ato të deputetëve të Lëvizjes sonë. Ne e përshëndesin iniciativën e disa deputetëve të PDK’së, të distancohen nga politika e saj dhe të formojnë subjekt tjetër”, ka thënë Albin Kurti për “Epoka e Re”.