Kurti kujton Fehmi dhe Xhevë Lladrovcin: Ashtu siç e shikonin njëri-tjetrin në sy bashkë shikonin drejt lirisë së Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kujtuar Fehmi dhe Xhevë Lladrovcin në 26 vjetorin e rënies së tyre heroike. Ai përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se vdekja e tyre ishte një rënie e njëhershme, ashtu siç jeta e tyre ishte një vepër e përbashkët, kryevepër për dashurinë dhe lirinë. “Fehmi Lladrovci (1956) nga…

Lajme

22/09/2024 15:43

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kujtuar Fehmi dhe Xhevë Lladrovcin në 26 vjetorin e rënies së tyre heroike.

Ai përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se vdekja e tyre ishte një rënie e njëhershme, ashtu siç jeta e tyre ishte një vepër e përbashkët, kryevepër për dashurinë dhe lirinë.

“Fehmi Lladrovci (1956) nga Gllanasella e Drenasit dhe Xhevë Krasniqi (1955) nga Drenoci i Malishevës ishin një çift i kulluar, që ashtu siç e shikonin njëri-tjetrin në sy me plot dashuri, bashkë shikonin drejt një synimi, lirisë së Kosovës. Ashtu siç e ka titulluar Fehmiu letrën e tij nga burgu për Xhevën, “DRITA E SYTRIT TIM XHEVË!”, ku ndër tjera ai i ka shkruar Xhevës: “Të përshëndes e të përqafoi nga larg SHPIRTI IM XHEVË! TË DUA SHUMË XHEVË”, ka shkruar Kurti.
Ai ka kujtuar edhe Fatime Hetemin dhe Shefqet Zekën të cilët kanë rënë dëshmor bashkë me çiftin Lladrovci.
“I sapo bërë 21-vjeçar, Shefqet Zeka (1977) nga Prishtina, ra atë ditë të martë duke luftuar bashkë me Fatimen, me Xhevën dhe me Fehmiun. Në një letër të shkruar me dorë prej tij rreth një muaj më parë, më 26 gusht 1998, Shefqeti ndër të tjera thoshte: “Kosova digjet flakë, Kosova gjëmon nga artileria e pushtuesit serb, Kosova masakrohet në mënyrën më barbare nga kriminelët serbë. Kosova para etnocidit. Kosova i mbush fushat me varre, rrugët me gjak shqiptari. Liria dhe Pavarësia janë më të shtrenjtë se jeta!” Këto konstatime dhe këto fraza aq të qarta politike të shkruara nga Shefqeti, janë dëshmi e shkruar e bindjeve dhe idealeve politike të tij që e shtynë drejt angazhimit për lirinë e Kosovës, me jetën e tij deri në vdekje. Lavdi luftëtarëve dëshmorë Fehmi Lladrovci, Xhevë Krasniqi – Lladrovci, Fatime Hetemi dhe Shefqet Zeka, mes dëshmorëve të rënë për lirinë e Kosovës!”, ka shkruar Kurti. /Lajmi.net/ 
Postimi i tij i plotë në Facebook: