Kurti kujton dy masakrat e 26 shtatorit të vitit 1998 që ndodhën në Drenas e Malishevë

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka kujtuar dy masakrat e 26 shtatorit të vitit 1998, që ndodhën nën regjimin e Sllobodan Millosheviq, një në Drenas e një në Malishevë. Në masakrën e Abrisë të komunës së Drenasit u vranë 22 anëtarë të familjes Deliu, në mësin e tyre edhe fëmijë. E më pas forcat e…

Lajme

26/09/2024 09:42

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka kujtuar dy masakrat e 26 shtatorit të vitit 1998, që ndodhën nën regjimin e Sllobodan Millosheviq, një në Drenas e një në Malishevë.

Në masakrën e Abrisë të komunës së Drenasit u vranë 22 anëtarë të familjes Deliu, në mësin e tyre edhe fëmijë.

E më pas forcat e armatosura serbe hynë edhe në fshatin Gollubovc të Malishevës ku vranë 13 civilë.

Kurti përmes një postimi në llogarinë e tij në facebook ka thënë se maskra e Abrisë është një nga krimet më mizore të gjenocidit të Serbisë në Kosovë.

“Atë ditë i masakruan 22 anëtarë të familjes Deliu. Më i moshuari ishte Fazli Deliu 94 vjeç. Më i riu, u privua nga jeta që në barkun e nënës. Luljetës shtatzënë ia prenë barkun me foshnjën e palindur. E vranë edhe Mihanen, në krah me të birin, Mirin. Mihane Gashani Deliu, më 25 shtator kishte pasur ditëlindjen e 28-të. Valmir Deliu, më 21 shtator, kishte pasur ditëlindjen e dytë. Diturije Deliu, foshnja që ishte gjetur e gjallë në kraharorin me gjak të nënës, nuk mbijetoi. Ajo vdiq më 19 nëntor 1998, rrugës për në fshatin Tërdec, derisa po dërgohej te një mjek i luftës. I kishte vetëm 95 ditë jetë. Më 26 shtator 1998, forcat e armatosura serbe hynë edhe në fshatin Gollubovc të Malishevës. Aty i vranë 13 burra shqiptarë, civilë të paarmatosur. Pas torturave disa orëshe, ata i shtrinë përtokë, me duar pas koke. U ekzekutuan nga policia, një nga një, me nga dy plumba. Për këto krime askush nuk është dënuar”, ka shkruar Kurti.

Kurti ndër të tjera ka kujtuar edhe Valdet Xhemajlin, Vesel Demakun e Afrim Hajdarajn, të cilët ranë dëshmor atë ditë, duke mbrojtur popullatën civile.

“Nuk i harrojmë të rënët në rrugën e vështirë deri te çlirimi. Nderojmë kujtimin për ta duke u angazhuar për forcimin e Republikës sonë. Lavdi të gjithë të rënëve për lirinë e Kosovës! I përmotshëm qoftë përkujtimi i të gjallëve për ta”, përfundoi Kurti. /Lajmi.net/