Kurti: Këshilli i Sigurimit nuk mund ta themelojë Tribunalin

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, pas takimit me presidenten Atifete Jahjaga, ka thënë se paralajmërimet se Këshilli i Sigurimit i OKB-së mund të themelojë një gjykatë speciale për krime lufte, është një lloj shantazhi që bo i bëhet Kosovës.

Lajme

11/04/2014 12:49

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, pas takimit, deklaroi se përveç se nuk po shkon EULEX, po vjen edhe një gjykatë.

Ai mendon se një gjykatë e tillë nuk mund të krijohet nga Këshilli i Sigurimit “aq kollaj” sa po thuhet, por mendon se kjo kartë po përdoret që të bëhet trysni mbi politikanët kosovarë, që të pranojnë për krijimin e kësaj Gjykate.

“Përveç se nuk po shkon EULEX-i, ju po e shihni që po na vjen Gjykata e Veçantë. Pra një lloj sundimi po trashet në Kosovë dhe mbi Kosovën dhe kjo është sërish edhe e padrejtë edhe e dëmshme”.

“Ëshë përshtypja ime që në vend se të diskutohet për dështimet e EULEX-it gjatë këtyre 6 viteve, në vend se ai të jap llogari për atë se çfarë dhe nuk ka bërë, po kalohet në temën e radhës, ku Kosova po gjykohet me ç’rast kjo po bëhet në emër të gjykimit të individëve por nuk do të jetë kësisoj, meqenëse përdorimi i Kosovës përkrahë termeve krim, krime kundër njerëzimit do të jetë tejet i dëmshëm për reputacionin e Kosovës në botë”.

“Pra ky është një hap i madh prapa që po i ndodhë Kosovës”.

Foto: Petrit Rrahmani

“Unë nuk jam i bindur se KS i OKB-së me aq lehtësi do të mund ta merrte këtë çështje duke e themeluar ai një tribunal për Kosovën. Shpeshherë më duket se një pretendim i tillë është më shumë pretendim shantazhi që Kosova vullnetarisht ta pranojnë një Gjykatë të Veçantë sesa realisht një gjë e tillë do të mund të ndodhte”.

“Hetimet për trafikimin e organeve në bazë të pretendimeve të Marty nuk mund të përfundojnë kaq kollaj në Tribunal ndërkombëtarë”.

“Prandaj duke e ditur se janë të pasigurt që KS do të mund ta bënte një gjë të tillë, ne po ndodhemi në një situatë, ku ka një trysni kaq të madhe që këtë gjë ta bëjë Kuvendi i Kosovës në fund të javës që vjen”.

“Do të duhej që pas Tribunalit të Hagës të kemi Tribunal për Serbinë, ku vazhdimisht po zhvarrosen kufoma të të pagjeturve shqiptarë nëpër varreza të ndryshme masive, siç ishte kjo e fundit në Rudnicë, ndërkohë që Kosova po përfundon me Gjykatë”.

Kurti ka thënë se për çështje të tilla do të duhej të ndodhte një debat e më pas të vjen marrëveshja për ratifikim në Kuvend.

Sipas tij, kjo është një “çek bllanko” nga Kosova për Tribunalin, pasi deri më tani zyrtarisht nuk dihet asnjë për të.

“Në vend se të kemi debat para marrëveshjeve, në Kosovë po kemi debat pas marrëveshjeve e para ratifikimit dhe kjo është e padrejtë. Do të duhej që në institucionet e Kosovës të kemi debate zyrtare publike, para marrëveshjeve”.

“Ju po e shihni që Kuvendi po keqpërdoret jo për qëllime të mëdha shtetërore por për interesa të ngushta të qeveritarëve”.

“Konkretisht do të duhej që për Tribunalin të hapej debati me institucionet e Kosovës në parlament”.

“Herdokurë që do të vije në Kuvendin e Kosovës, dakordimi i tillë i Qeverisë, i Presidencës për Gjykatën e Veçantë , ai do të jetë një çek bllanko i Kosovës për Tribunalin apo Gjykatën e Veçantë, sepse ne nuk e kemi parë zyrtarisht as bazën e kësaj gjykate, as përbërjen e saj, as rregullat e saj, as misionin e as qëllimet e saja”.

Duke folur për mandatin e EULEX-it, Kurti tregoi se ka kërkuar nga Presidentja që të parashtrojë pesë çështje lidhur me misionin e EULEX.

“E para është që EULEX nuk e njeh pavarësinë e Republikës sonë. E dyta është që EULEX ka fuqi të pakufizuar ekzekutive si në kohë ashtu dhe në gamën e tyre. E treta është që EULEX asnjëherë nuk ka dhënë llogari në asnjë institucion të Kosovës. Konkretisht në Parlamentin e Republikës, EULEX-i nuk ka raportuar për punën e tij. E katërta është që i gjithë personeli i EULEX-it me anëtarët e familjeve të tyre kanë imunitet prej ndjekjes penale në Kosovë që është e padrejtë. Edhe e pesta është që EULEX më shumë e përdor ligjin për stabilitet afatshkurtër politik sesa drejtësi për qytetarët”, tha Kurti.