Kurti kërcënon me protesta Brovinën dhe Jahjagën
E plotësuar: Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka kërcënuar me protesta, nëse Flora Brovina nuk e thërret vazhdimin e seancës konstituive.
Lajme
Sipas tij protestat janë të paevitueshme, edhe në rastin tjetër, nëse pas konstituimit të Kuvendit, presidentja Jahjaga herën e dytë nuk do të mandatonte të nominuarin për kryeministër nga Blloku.
“Nëse vazhdimi i seancës konstituive nuk thirret nga Flora Brovina as tash, ose nëse Presidentja e Kosovës për herën e dytë nuk e nominon kandidatit e shumicës parlamentare për Kryeministër, atëherë protestat dhe demonstratat janë të domosdoshme dhe të paevitueshme”, ka thënë Kurti.
_____________________________________________
Kurti: PDK dhe Gjykata Kushtetuese na kanë lënë pa Kuvend
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, duke folur për situatën politike në vend ka akuzuar Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Gjykatën Kushtetuese, se e kanë lënë Kosovën pa Kuvend.
Kurti të shtunën në një tubim me qytetarët në Mitrovicë, ka thënë se PDK nuk e do Kosovën si Republikë Parlamentare, por Republikë qeveritare.
“Ndodhemi në një situatë kur ne jemi deputetë të Kuvendit, kurse PDK-ja me ndihmën e Gjykatës Kushtetuese, e ka lënë pa Kuvend Republikën e Kosovës, sepse ajo nuk e do Republikën tonë si Republikë Parlamentare, por vetëm si një Republikë qeveritare, në të cilën ka shumë qeveri e pak republikë”, ka thënë mes tjerash Kurti.
Ai potencoi se Kosova ka dy probleme themelore, Mitrovicën dhe papunësinë, dhe nëse gjendet çelësi për këto dy probleme atëherë shteti i Kosovës dhe populli i saj pa dyshim do të përparojnë shumë.