Kurti i gatshëm ta bëjë qeverinë me Listën Serbe, që më herët e quante Listë Çetnike

Nga propozimi i fundit i Lëvizjes Vetëvendosje për rritjen e numrit të ministrive në 14, më së shumti përfiton Lista Serbe.

Lajme

17/01/2020 18:40

Reduktimi i numrit të ministrive në 12 ishte bërë saktësisht në fillim për ta reduktuar pushtetin ministror të Listës Serbe. Por, kërkesa për rritjen e ministrive, ndonëse ishte munduar të kamuflohej nga Vetëvendosje duke thënë se ministria e tretë për komunitetet është në diskrecion të kryeministrit, i cili fare nuk ka diskrecion, ajo drejtpërdrejt i shton një ministri më shumë Listës Serbe.

Kjo lëvizje e Kurtit që i rrit një ministri më shumë Listës Serbe, duke shkelur premtimet dhe parimet e veta, nga qytetarë të shumtë, por edhe nga vetë LDK-ja, ishte parë si shumë e çuditshme.

Pa ia kërkuar fare Listës Serbe i shtohej një ministri, kurse duke ia kërkuar me ngulm edhe një tjetër, e cila do ta bënte të mundur arritjen e marrëveshjes me LDK-në, kësaj të fundit nuk i shtohej.

Megjithatë, Xhelal Sveçla i kësaj partie sot shkoi edhe më larg, duke thënë se nëse dështon marrëveshja me LDK-në, edhe qeveria e pakicave është një opsion.

Por, vetëm disa vite më parë, saktësisht më 15 dhjetor 2013, vetë lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, Listën Serbe e kishte quajtur Listë Çetnike.

“Lista Serbe s’janë thjesht serbë, por ata janë çetnikë”, kishte thënë Kurti.

Në mbledhjen e dymbëdhjetë të Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes, Kurti kishte thënë se tani po shihen pasojat e marrëveshjes, e cila, sipas tij, solli në pushtet jo Listën Serbe, por çetnikët, në nëntë Komuna të Kosovës.

“Sigurisht se u dëshmua se ne të Vetëvendosjes kishim të drejtë kur vendosëm panot me parulla në Kuvend, kur kemi insistuar që të mos mbahet seanca e turpshme e ratifikimit të Marrëveshjes me Serbinë. Atëherë deputetët dhe analistët e regjimit merreshin aq shumë atëbotë me ne. E tash, ja ku i kemi çetnikët në pushtet, në nëntë Komuna të Kosovës”, kishte thënë ai.

Kurti u kishte bërë asokohe thirrje subjekteve tjera dhe gjithë deputeteve t’u thonë jo ulëseve të rezervuara, sepse kështu, sipas tij, i thuhej po demokracisë.

“I thoni Jo çetnikëve të Listës Serbe, sepse kështu i thoni Po historisë dhe Republikës sonë”, kishte thënë Kurti.

Lideri i Vetëvendosjes asokohe kishte thënë se anëtarët dhe përfaqësuesit e Listës Serbë janë çetnikë, që e morën pushtetin në 9 Komuna të Kosovës dhe vitin e ardhshëm po bëhen gati që t’i marrin mbi 20 vende në Kuvendin e Kosovës.