Të Infektuar: 1052

Të Shëruar: 820

Të Vdekur: 30

Kurti i dërgoi “ese politike” Thaçit, por jo emrin e kandidatit për Kryeministër

10:51 | 13 Janar 2020

Para konstituimit të Kuvendit propagandohej që Thaçi nuk do ia jap Kurtit mandatin për ta formuar Qeverinë, kurse tash po tentohet të justifikohet mosmarrja e këtij mandati nga vetë Kurti. Kandidati që për 20 vjet synoi postin e Kryeministrit, tani po ankohet që po i bëhet presion për ta marrë këtë post, madje duke marrë edhe rolin e Gjykatës Kushtetuese për ta interpretuar Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Qëndrim redaksional

Politika kosovare ka përjetuar shumëçka prej vitit 2010 e këndej.

Janë rrëzuar dy presidentë, Fatmir Sejdiu dhe Behgjet Pacolli, me vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Janë mbajtur katër palë zgjedhje të jashtëzakonshme. Në verën dhe vjeshtën e vitit 2014, kemi qenë dëshmitarë të një paralize të plotë gjashtëmujore të institucioneve të Kosovës, kur nuk u bë konstituimi i Kuvendit të Kosovës.

Diçka e përafërt, por në aspektin kohor më e shkurtër, ndodhi edhe në verën e vitit 2017.

U supozua prej njohësve të rrethanave politike në Kosovë, që tashmë i kemi provuar të gjitha ndërlikimet dhe krizat e mundshme paszgjedhore dhe që më nuk ka çfarë të na befasojë.

Doli që e kishim gabim.

Mbase askush nuk ka mundur të supozojë që fituesi i zgjedhjeve parlamentare në vend, i cili në vijim të sistemit të pastër proporcional merr të drejtën t’i prijë veprimeve të bërjes së Qeverisë së re të Kosovës, nuk do ta marrë mandatin prej Presidentit të Kosovës, për ta krijuar Qeverinë e Kosovës.

Shumëkush ditëve dhe javëve të kaluara e ka fajësuar Kushtetutën e Kosovës për një zhvillim të tillë, kur Albin Kurti, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidati i kësaj partie për postin e Kryeministrit të Qeverisë së Kosovës, nuk i është përgjigjur pozitivisht pesë përpjekjeve të deritashme të Presidentit Thaçi (letra e parë e tij u bë publike më 27 dhjetor, e fundit më 10 janar, ndërsa konsulta formale është zhvilluar me 6 janar), për t’i formalizuar përpjekjet e tij për ta ndërtuar Qeverinë e Kosovës.

Sipas tyre, Kushtetuta e Kosovës është dashur ta precizojë dhe saktësojë edhe atë afatin kohor, pas konstituimit të Kuvendit, brenda të të cilit kandidati për Kryeministër i partisë/ koalicionit që ka dalë i pari në zgjedhje, merr mandatin prej Presidentit.

Diçka e tillë është krejtësisht paradoksale. Kushtetuta e Kosovës do të mund të amandamentohej që në të ardhmen të evitohen të gjitha grackat politike që na janë shfaqur në mungesë të një preciziteti absolut kushtetues. Megjithatë, mbase askush nuk ka mundur të parashikojë që një politikan, i cili tash e sa vite ka pretendime për ta udhëhequr Qeverinë, kur t’i ofrohet një rast i tillë, do ta kthejë mbrapsht këtë mundësi kushtetuese, sepse në ndërkohë e ka kuptuar që nuk ka shumicën e duhur parlamentare për ta bërë Qeverinë e Kosovës.

Kandidati që për 20 vjet synoi postin e Kryeministrit, tani po ankohet që po i bëhet presion për ta marrë këtë post, madje duke marrë edhe rolin e Gjykatës Kushtetuese për ta interpretuar Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Në rolin e Kryetares së Gjykatës Kushtetuese, Kurti sot ia ka dërguar një letër Presidentit Thaçi me përplot interpretime sipas dëshirave të tij, por nuk aty mungonte elementi kryesor: Emri i kandidatit të Vetëvendosjes për Kryeministër.

Por, le të paramendojmë këtu dy situata të tjera politike dhe kushtetuese, të cilat realisht na flasin shumë se ku kemi mbërri si politikë dhe si shoqëri kosovare.

Siç dihet, Presidenti Thaçi, një ditë pas themelimit të legjislaturës së shtatë të Kosovës  (e para ka qenë ajo e vitit 2001), apo të premten më 27 dhjetor iu drejtua Albin Kurtit me letër, përmes të cilës ai ftohej për ta bërë konsultimin inicial me të, për ta iniciuar procedurën e mandatimit të tij.

Të supozojmë që kjo nuk do të ndodhte atë ditë apo edhe në ditët në vijim, gjegjësisht që Presidenti Thaçi do të rrinte fare i heshtur, duke mos përmbushur detyrimin e tij kushtetues, për ta thirrur në takim Albin Kurtin, ashtu siç propagandonin njerëz të afërt me Vetëvendosjen.

Presidenti Thaçi do të gozhdohej politikisht dhe medialisht, duke u akuzuar si shkelës i Kushtetutës, si një kundërshtar jo vetëm i Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje, por edhe i vetë rezultatit të zgjedhjeve të përgjithshme të 6 tetorit.

Situata e dytë, po ashtu imagjinare, e vendosë LDK-në në vend të Lëvizjes Vetëvendosje, në atë pozitën e një fituesi të zgjedhjeve, ndërsa sjellja e mandatarit të LDK-së do të ishte identike me atë të Vetëvendosjes: ajo e refuzimit të marrjes së nominimit.

Edhe këtu, në këtë rast, do të përballeshim me një presion të jashtëzakonshëm politik dhe mediatik që LDK-ja, ose ta marrë mandatin e bërjes së Qeverisë, ose t’ia mundësojë të dytit në radhë ta shfrytëzojë rastin.

Edhe pse në këtë javën e fundit janë hetuar shenjat e qarta që politika dhe opinioni

kosovar kanë nisur ta humbin durimin me sjelljet e Albin Kurtit, megjithatë lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, për shkaqe të shumta, të cilat mbi të gjitha përkojnë me një lodhje të qytetarëve të Kosovës me elitat tradicionale politike në vend, duket që ende ka kohë për ta kthyer në dobi të vete këtë gjendje problematike politike në vend.

Sidoqoftë, nuk ka kurrfarë dyshimi që Albin Kurti, me sjelljen e tij politike prej 26 dhjetorit e tutje  (që prej se u konstitua Kuvendi i Kosovës), po e teston edhe një herë qëndrueshmërinë e sistemit politik të Kosovës, siç ka bërë që nga themelimi i Lëvizjes Vetëvendosje, nga viti 2005 e deri më sot, por këtë radhë nga një dimension tjetër.

Në periudhën e parë të ekzistencës së kësaj lëvizjeje, apo në vitet 2005-2010, Kurti me bashkëpunëtorët e tij përmes protestave të vazhdueshme, të cilat jorrallë kalonin në demonstrata të dhunshme, mëdyshte me themel drejtimin që kishte marrë politika zyrtare kosovare, që në partneritet me SHBA-në dhe BE-në ta bëjë Kosovën shtet të pavarur.

Kapitulli i dytë i Vetëvendosjes, që njeh harkun kohor 2010-2014 dyzonte atë pjesëmarrjen e Kurtit dhe të anëtarëve të këtij subjekti në dy palë zgjedhje parlamentare dhe në zgjedhje lokale, me qëllim që edhe brenda institucioneve të Kosovës të sfidohej qëndrueshmëria e institucioneve dhe e shtetit të Kosovës, me kontinuitetin e protestave shesheve të Prishtinës.

Në periudhën e tretë të ekzistencës së kësaj lëvizjeje, në vitet 2015-2016, Kurti arriti që të bëjë për vete edhe dy partitë tjera opozitare të Kosovës, AAK-në dhe Nisma-n (pas dështimit të projektit të VLAN-it), ashtuqë protestat e rrugëve mbërritën të vendosen në sallën e Kuvendit të Kosovës, me gazin lotsjellës dhe të gjitha mënyrat e tjera të dhunshme, ndërsa synimi i Kurtit ishte që vendimmarrja politike për Kosovën të bëhej në sheshet e Prishtinës, duke paralizuar në plotni pushtetin dhe shtetin e Kosovës.

Kapitulli më i ri, i katërti i zhvillimit politik të Lëvizjes Vetëvendosje, ka mbërritur me këtë fitoren relative, gjysmake zgjedhore të Kurtit, fitore kjo që nuk ofron realisht kapacitete të mjaftueshme parlamentare dhe qeveritare që ky ta imponojë një agjendë të veten politike, e cila nuk ka si të mos i marrë parasysh faktet e njohura botërisht, ku Kurti shquhet me kundërshtimin e prerë të Konferencës së Rambouilletit (1999), pa të cilën Kosova nuk do të çlirohej, si dhe të Procesit të Vjenës  (2005-2007), pa të cilin Kosova nuk do të bëhej shtet i pavarur.

Madje, ai e kundërshtoi edhe shpalljen e pavarësisë se Republikës së Kosovës, shtet për të cilin paradoksalisht tash është kandidat për Kryeministër.

Kurti është ndërtuar si politikan me parimet e tij të cilat ai në asnjë rast nuk i ka mohuar, përkundër që për të marrë vota më shumë është tjetërsuar në shfaqje publike.

Ai asnjëherë nuk e ka pranuar as Konferencën e Rambouilletit dhe as Procesin e Vjenës.

Shteti i Kosovës për Albin Kurtin është vetëm një zgjidhje kalimtare, e mangët, gjysmake e çështjes shqiptare në Kosovë, ndërsa zgjidhja e mirëfilltë e saj do të bëhet me bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.

Albin Kurti po përpiqet me të gjitha këto manovra politike të javëve të fundit, që një fitore relative zgjedhore ta shndërrojë në një fitore absolute paszgjedhore, në të gjitha frontet politike dhe mediatike, duke fajësuar LDK-në dhe Isa Mustafën për dështimin në krijimin e Qeverisë së Kosovës dhe duke paralajmëruar mundësinë e organizimit të zgjedhjeve të reja, nëse ai nuk do të bëhet Kryeministër.

Ideja e ndryshimit të madh politik në vend, e luftimit të korrupsionit, e fuqizimit të sundimit të ligjit, e përmirësimit të gjendjes sociale dhe ekonomike, pas rraskapitjes së opinionit kosovar me elitat tradicionale politike, i shkon për shtati Kurtit, natyrisht, si një mjet politik për realizimin e qëllimit të tij suprem, që shquan konsistencën e tij prej ideologu të bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, që bazohet në parimësinë dhe mosndryshimin e tij.

Këtë këmbëngulësi dhe parimësi të veten, zaten Kurti ka konfirmuar veçanërisht në intervistat e dhëna për mediat në Shqipëri në nëntor dhe dhjetor të vitit të kaluar.

Kurti nuk do të heq dorë asnjëherë prej parimeve të tij politike dhe prej synimeve të tij të një ideologu gjithëshqiptar.

Herët a vonë do të kuptohet që e kanë gabim të gjithë ata politikanë dhe opinionbërës vendorë, sikurse edhe diplomatë perëndimorë, që mendojnë se Kurti do të ndryshojë apo që do t’i përshtatet rrethanave politike të cilat synojnë forcimin e shtetit të Kosovës.

Politika e Kosovës dhe shoqëria kosovare duhet, sipas Kurtit, t’i përshtaten atij. Jo anasjelltas.

Në këtë kontekst, duket që Kurti ende e ka në duart e tij iniciativën politike dhe mediatike.

Ai nuk mërzitet fare për detyrimet e tij kushtetuese, sepse për të Kushtetuta e Kosovës është një fushëbetejë politike për sendërtimin e qëllimeve të veta.

Ai ende mendon që do të mund ta dyzojë obligimin e tij politik dhe moral për krijimin e Qeverisë së Kosovës  (ky këtë obligim e ka ndaj votuesve që e kanë përkrahur më 6 tetor), duke bërë për vete LDK-në e Isa Mustafës, partinë më të vjetër të Kosovës, e cila në kohën kur në ballë të saj ka qenë presidenti Ibrahim Rugova, ka kontribuar shumë në fuqizimin e idesë së krijimit të shtetit të Kosovës.

Në raportet e tyre me historinë e re të Kosovës, me shtetin e Kosovës, nuk ka asgjë të përbashkët në mes të Lëvizjes Vetëvendosje të Albin Kurtit dhe LDK-së së Isa Mustafës.

Sidoqoftë, nëse edhe në ditët dhe javët e ardhshme do të vazhdojë kjo situatë politike, nuk ka dyshim që edhe ky stabiliteti i brishtë politik dhe financiar i Kosovës do të sprovohet edhe më shumë, me pasoja të paparashikueshme për Kosovën dhe qytetarët e saj.