Kurti: Grenelli ka qëndrim të hapur kundër meje që 5 vjet, kritikat e tij nuk filluan në fushatë
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti në një intervistë të dhënë së fundi ka folur për Administratën Trump dhe emisarin e veçantë për misione speciale, Richard Grenell. Kurti tha se përfaqësuesi i Lartë amerikan e ka sulmuar në vazhdimësi tash e pesë vjet. Derisa qëndroi në Munih, Kurti foli në “Table Briefings”, aty ku u pyet për…

Lajme
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti në një intervistë të dhënë së fundi ka folur për Administratën Trump dhe emisarin e veçantë për misione speciale, Richard Grenell.
Kurti tha se përfaqësuesi i Lartë amerikan e ka sulmuar në vazhdimësi tash e pesë vjet.
Derisa qëndroi në Munih, Kurti foli në “Table Briefings”, aty ku u pyet për presidentin e ri, Donald Trump, për të cilin tha se “e ka prioritet të ulët” Ballkanin Perëndimor.
“Megjithatë, përshtypja ime është që presidenti Trump po mundohet që të sjellë një zgjidhje mes Ukrainës e Rusisë, më shumë së shpejti sesa më vonë, për shkak të një prioriteti të lartë që ai e ka, që është Kina. Më shumë se prioritetet e ulëta që i ka ai, më saktësisht Ballkani. Pra vëmendja që ai po ia jep agresionit rus ka të bëjë me prioritetin e tij absolut në çështjet ndërkombëtare, që është ajo se si ShBA-ja do të merret me ngritjen e Kinës në shekullin XXI dhe kjo nuk ka të bëjë asgjë me Ballkanin Perëndimor, ku të gjitha gjashtë shtetet bëjnë sa popullsia e Holandës” – tha ai, transmeton Nacionale.
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje tha se emisari amerikan, Richard Grenell “e ka kundërshtuar” që nga viti 2020 dhe e vazhdoi këtë edhe gjatë fushatës zgjedhore.
“Sa i përket emisarit të veçantë Grenell, që nga viti 2020 ai ka qenë shumë i hapur kundër meje. Kundërshtimi i tij ndaj meje si politikan dhe kryeministër, nuk ka nisur gjatë fushatës. Ka qenë i vazhdueshëm gjatë këtyre pesë viteve të fundit, por nuk ndaloi as gjatë fushatës. Sidoqoftë, ne konsiderojmë që ShBA është aleati ynë, mik i veçantë, dhe partner vendimtar”, ka shtuar Kurti.