Kurti: Finlanda përkrahëse e popullit tonë në luftën për liri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në pritjen e organizuar nga Ambasada e Republikës së Finlandës, me rastin e 105- vjetorit të Pavarësisë së Finlandës. Pasi ka përgëzuar Republikën e Finlandës dhe popullin finlandez për 105- vjetorin e pavarësisë së tyre, kur në 6 dhjetor 1917, Finlanda shpalli pavarësinë e saj nga Rusia,…

Lajme

05/12/2022 22:21

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në pritjen e organizuar nga Ambasada e Republikës së Finlandës, me rastin e 105- vjetorit të Pavarësisë së Finlandës.

Pasi ka përgëzuar Republikën e Finlandës dhe popullin finlandez për 105- vjetorin e pavarësisë së tyre, kur në 6 dhjetor 1917, Finlanda shpalli pavarësinë e saj nga Rusia, kryeministri Kurti tha se Kosova dhe Finlanda ndajnë histori të ngjashme të pushtimit, sakrificave për liri dhe përpjekjeve për të ruajtur kulturën dhe traditën kundër perandorive dhe regjimeve të huaja deri në shpalljen e pavarësisë.

“Finlanda, natyrisht, ka qenë mike dhe përkrahëse e popullit të Kosovës në luftën tonë për liri dhe çlirim. Dhe që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, Finlanda ka vazhduar këtë rol miqësor dhe mbështetës duke zgjeruar ndihmën e saj përmes projekteve të ndryshme që kanë ndihmuar në konsolidimin e demokracisë sonë të re.

Agjencia Finlandeze për Zhvillim Ndërkombëtar – FINNIDA – ka mbështetur zhvillimin e vendit tonë që nga viti 1999, kryesisht në edukimin për të drejtat e njeriut, barazinë gjinore, shëndetësinë dhe fusha të tjera të ngjashme. Përveç kësaj, Finlanda na ka mbështetur vazhdimisht në rrugën tonë drejt integrimit në BE”, ka thënë Kurti, njofton zyra për informim e Kryeministrit.

Sipas tij, këto lidhje miqësie mes vendeve tona bazohen në vlerat e përbashkëta të demokracisë, respektimit të të drejtave të njeriut dhe drejtësisë sociale.

“Jemi shumë mirënjohës që Finlanda ka mbështetur në mënyrë aktive dhe të vazhdueshme perspektivën euroatlantike të Kosovës, liberalizimin e vizave për qytetarët tanë dhe anëtarësimin tonë në organizatat ndërkombëtare. Të dy vendet po punojnë gjithashtu ngushtë për të rritur bashkëpunimin tonë ekonomik. Ne gjithashtu presim të mësojmë nga modeli i shkëlqyer i arsimit finlandez”, ka thënë tutje Kurti.

Ai ka shtuar se edhe në fushën e sigurisë, Finlanda dhe Kosova ndajnë vlera, sfida dhe interesa të përbashkëta. “Prandaj, më lejoni të shfrytëzoj këtë rast për të uruar Finlandën për aplikimin e saj për anëtarësim në NATO. Pasi të jenë finalizuar të gjitha ratifikimet, anëtarësimi i Finlandës në NATO do të nënkuptojë padyshim një pikë kthese të madhe në historinë politike të vendit, të rajonit nordik dhe të Evropës në tërësi. Si i tillë, ai do të forcojë sigurinë dhe do të forcojë garancinë e mbrojtjes kolektive. Edhe Kosova ka të njëjtat aspirata dhe për të njëjtat arsye”, ka thënë Kurti.

Kryeministri përkujtoi edhe historinë tonë të re, “kemi njohur dy Martti-t: Martti Ahtisaari dhe Martti Koskenniemi”.

“Propozimi gjithëpërfshirës i statusit të Presidentit Ahtisaari u bë thelbi i Kushtetutës sonë, ndërsa mbrojtja e pavarësisë sonë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë nga Koskenniemi është një ese shembull për vetëvendosjen. Por, ato ishin vitet e Nokia-s, jo të Iphone-it dhe Huawei-t”, ka thënë pos tjerash, kryeministri Kurti