Kurti falënderon Shqipërinë për ndihmën e ofruar pas vërshimeve, por thotë se nuk kemi pasur nevojë

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka deklaruar se të gjithë vendi është tronditur nga tërmeti tronditës në Turqi dhe Siri që ua mori jetën shumë njerëzve, e që numri i viktimave po rritet nga ora në orë. Në seancën e sotme plenare në Kuvendin e Kosovës, Kurti ka shprehur ngushëllime për të gjithë familjarët e…

Lajme

09/02/2023 11:49

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka deklaruar se të gjithë vendi është tronditur nga tërmeti tronditës në Turqi dhe Siri që ua mori jetën shumë njerëzve, e që numri i viktimave po rritet nga ora në orë.

Në seancën e sotme plenare në Kuvendin e Kosovës, Kurti ka shprehur ngushëllime për të gjithë familjarët e viktimave në emër të popullit të Kosovës, ndërsa ka folur edhe për angazhimin e FSK-së në Turqi, shkruan lajmi.net.

“Ndajmë dhimbjen dhe pikëllimin me popullin e prekur dhe u shprehim ngushëllime familjarëve të viktimave. Kontingjenti i FSK-së në Turqi përbëhet nga një togë i kërkim-shpëtimit, dy ekipe mjekësorë dhe një ekip K-9 me tre qenë. Numri i përgjithshëm i personelit është 36 pjesëtarë të FSK-së dhe ky kontigjent ka zbarkuar në Turqi më 6 shkurt, ndërkaq nga autoritet turke ka vendosur që të funksionojë në Hatay. Janë duke zhvilluar operacionin e kërkim-shpëtimit dhe dhënie të ndihmës së parë mjekësore. Njësitë e specializuara të FSK-së kanë shpëtuar deri më tani një vajzë 2-vjeçare dhe nënën e saj, e po vazhdojnë operacionin”, ka thënë Kurti.

Ai ka përgëzuar ushtarët e Kosovës për guximin, shkathtësinë dhe suksesin. Kurti ka folur edhe për ndihmën e ofruar nga Shqipëria pas vërshimeve në Kosovë, por që ka thënë se nga institucionet vendore është vlerësuar që ndihma nuk është e nevojshme dhe se situata mund të përballohet me kapacitetet vendore.

“Sa i përket disa prej çështjeve, është e vërtetë se Shqipëria është shprehur e gatshme për të na ndihmuar me ushtrinë e saj kur ndodhën vërshimet javë më parë, por Ministria e Mbrojtjes dhe MPB kanë qenë të qartë se janë shumë falënderues për këtë gatishmëri të Shqipërisë, por nuk ka pasur nevojë për atë lloj ndihme sepse e kanë edhe FSK-ja edhe Policia edhe AME-ja. Pra kemi qenë shumë larg prej limiteve të kapaciteteve tona që të na vijnë në ndihmë, por ata kanë qenë kërkues e ne jemi mirënjohës e falënderues. Në një rast të vështirësimit të gjendjes së vërshimeve, do të mund të na ndihmonte Shqipëria por për shkak të organizimit të mirë që kemi pasur ndërmjet qytetarëve dhe komunave e Qeverisë, kemi arritur që t’ia dalim”, ka deklaruar Kurti.

Kujtojmë se Shqipëria kishte ofruar mbështetje pas vërshimeve në disa zona në Kosovë, ku ende janë duke u vlerësuar dëmet e shkaktuara. /Lajmi.net/