Kurti e lexon ekonominë “si për veti”, thotë se pati rritje ekonomike, rritje të punësimit e të eksportit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shkruar një status në Facebook ku nuk është kursyer aspak në lëvdata ndaj vetës dhe qeverisë së tij për rritje dhe progres ekonomik në Kosovë. Sipas kryeministrit Kurti, qeveria ka ofruar mbështetje të madhe për bizneset në Kosovë dhe gjithashtu ka rritur eksportin dhe numrin e të të punësuarve,…

Lajme

08/10/2022 20:32

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shkruar një status në Facebook ku nuk është kursyer aspak në lëvdata ndaj vetës dhe qeverisë së tij për rritje dhe progres ekonomik në Kosovë.

Sipas kryeministrit Kurti, qeveria ka ofruar mbështetje të madhe për bizneset në Kosovë dhe gjithashtu ka rritur eksportin dhe numrin e të të punësuarve, shkruan lajmi.net.

“Eksportin përgjatë periudhës janar-shtator 2022 e kemi për 25.6% më të lartë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Rritja mesatare vjetore e eksportit gjatë periudhës janar-shtator të viteve 2008-2020 është 15.7%, ndërsa rritja mesatare e eksportit në periudhën e njëjtë të dy viteve të fundit e gjatë qeverisjes sonë është 47.3%. Pra, me Qeverinë tonë eksportet në këtë periudhë janë rritur trefish më shpejtë sesa në krahasim me vitet kur kanë udhëhequr qeveritë e kaluara. E rritja e eksportit pa dyshim nënkupton edhe rritje të aktivitetit ekonomik dhe punësimit në vend.”, tha Kurti.

Ai, madje për këtë e sheh numrin e punëtorëve të regjistruar nga kompanitë në Kosovë.

“Progresi ekonomik nuk është hamendësim e as rastësi. Ai është rezultat i politikave të duhura dhe qeverisjes së mirë. Shifrat dhe indikatorët më lart janë dëshmia jonë për këtë.”, tha Kurti.

Ky është postimi i tij:

Progresi ekonomik i Kosovës
Rritje ekonomike sepse ky është vizioni ynë. Përkrahje për bizneset vendore sepse kjo është mënyra për të realizuar këtë.
Përmes Pakos së Ringjalljes Ekonomike, Masës 2.1, subvencionuam 20% të kryegjësë së kredisë për bizneset prodhuese e përpunuese. Kjo masë kap vlerën prej 15 milionë euro mbështetje direkte që u ka mundësuar 207 bizneseve të investojnë mbi 87 milionë euro në zgjerim të kapaciteteve.
Me Masën 2.4 ofruam mbështetje për trajnime të stafit, brendim të produkteve e mbështetje për panaire jashtë vendit për të gjetur tregje të reja. Mbështetje nga e cila përfituan 75 biznese.
Pra, u kemi ndihmuar bizneseve tona vendore që të zgjerojnë kapacitetet prodhuese e përpunuese ashtu që të rritet prodhimi vendor, punësimi e eksporti.
Eksportin përgjatë periudhës janar-shtator 2022 e kemi për 25.6% më të lartë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Rritja mesatare vjetore e eksportit gjatë periudhës janar-shtator të viteve 2008-2020 është 15.7%, ndërsa rritja mesatare e eksportit në periudhën e njëjtë të dy viteve të fundit e gjatë qeverisjes sonë është 47.3%. Pra, me Qeverinë tonë eksportet në këtë periudhë janë rritur trefish më shpejtë sesa në krahasim me vitet kur kanë udhëhequr qeveritë e kaluara.
E rritja e eksportit pa dyshim nënkupton edhe rritje të aktivitetit ekonomik dhe punësimit në vend.
Qarkullimi i bizneseve për periudhën janar-gusht 2022 ka shënuar rritje prej 21.6% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2021 dhe 67.9% krahasuar me vitin 2020.
Si rezultat, në vitin 2021 kishim të regjistruara 25 mijë vende pune më shumë sesa ai pararendës, kurse nga janari deri në gusht të këtij viti kemi 15 mijë vende pune më shumë.
Përveç ndihmës direkte me subvencione, po ndihmojmë bizneset tona përmes uljes së kostos së të bërit biznes.
Vitin 2021 e mbyllëm me hapjen e terminalit doganor shtetëror në Mitrovicë. Këtë vit, terminalin doganor në Podujevë e kthyem në shtetëror. Njësoj do të vazhdojmë me hapjen e terminalit doganor shtetëror në Vërmicë.
E këtë javë, filloi zhdoganimi i mallrave në Portin e Durrësit. Kjo do të ulë kostot për bizneset e konsumatorët për rreth 2 milionë euro sikurse edhe kohën e zhdoganimit.
Investimet e huaja direkte në Kosovë vazhdojnë të rriten gjatë qeverisjes sonë. Në periudhën janar-korrik të këtij viti vlera e investimeve të huaja direkte ka tejkaluar vlerën prej 400 milionë euro. Pra, 47% më shumë në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit 2021 dhe 99% me shumë sesa në vitin 2020.
Progresi ekonomik nuk është hamendësim e as rastësi. Ai është rezultat i politikave të duhura dhe qeverisjes së mirë. Shifrat dhe indikatorët më lart janë dëshmia jonë për këtë. /Lajmi.net/