Kurti e injoron si institucion, nuk e llogarit reagimin e Presidencës për incidentin në Shkup

Kryeministri i vendit, Albin Kurti pas disa ditësh sot është deklaruar në lidhje me incidentin që i ndodhi presidentes së vendit, Vjosa Osmani në aeroportin e Shkupit. Pas takimit që pati me kryeministrin maqedon, në një konferencë për media, Kurti ndër të tjerash tha se janë duke pritur një raport në lidhje me rastin. Ai…

Lajme

05/08/2024 14:18

Kryeministri i vendit, Albin Kurti pas disa ditësh sot është deklaruar në lidhje me incidentin që i ndodhi presidentes së vendit, Vjosa Osmani në aeroportin e Shkupit.

Pas takimit që pati me kryeministrin maqedon, në një konferencë për media, Kurti ndër të tjerash tha se janë duke pritur një raport në lidhje me rastin.

Ai tha se ka qenë një përjetim i rëndë për presidenten Vjosa Osmani, por se gjërat duhet të zbardhen deri në fund dhe të dihet se si ka qenë në të vërtetë rasti.

Kreu i Qeverisë, Kurti theksoi se gjëra të tilla s’duhet që të përsëriten.

“Pa dyshim ka qenë përjetim dhe përvojë e rëndë e presidentes Vjosa Osmani, me dy gusht në aeroportin e Shkupit, ka qenë me familje dhe me dy vajza të vogla. Autoritet e Maqedonisë së Veriut, krerët e shteti këtu kanë shprehur keqardhje për rastin. Do të ketë raport zyrtar që do ta zbardhë këtë çështje, dhe ta kuptojmë se çfarë ka ndodhur dhe mos të përsëritet kurrë më një situatë e tillë”, potencoi ai.

Përpos kësaj, Kurti tha se Kosova nuk ka pasur qëndrim zyrtar që ka qenë provokim nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut ngjarja e presidentes Osmani.

Me këtë rast Kurti la si no-ekzitencë Presidenten e Kosovës, nga ku edhe u tha se ishte provokim.

“Nuk e di se kemi pasur qëndrim të tillë si institucione se ka qenë provokim, por jo institucionet Republikës. MPJD ka dhënë qëndrimin e saj që është qëndrim i Republikës së Kosovës, po ashtu kemi parë edhe qëndrimin e MPJ-së së Maqedonisë së Veriut”,theksoi Kurti, shkruan lajmi.net.

“Besoj se duhet të synojmë të vërtetën dhe assesi tensionimin. Pra le të zbardhet rasti, janë institucionet që e bëjnë këtë. Ne s’mund të bëjmë edhe zyrtarin doganor, edhe zyrtarin policor edhe atë që mbikëqyr aeroportin”, tha Kurti.

Por pikërisht në një reagim të bërë nga Presidenca e Kosovës ishte dhënë një deklaratë e tillë.

Presidenca shprehte indinjatën “për deklarimet e papranueshme të MPB të Maqedonisë së Veriut si dhe për propagandën që po zhvillohet kundër Republikës së Kosovës në disa media të Maqedonisë së Veriut sa i përket incidentit të paprecedentë”.

Aty thuhej se po e sqaronin “edhe njëherë situatën në tërësi”.

“Situata e djeshme në Aeroportin e Shkupit nuk mund të shpjegohet e as të vlerësohet ndryshe, përveçse si një provokim i pastër dhe tendencë për të shkaktuar incident”, thuhej ndër tjera në shpjegimin e Presidencës.

Duhet përkujtuar që së fundi në mes Presidencës së Kosovës dhe Qeverisë pati mjaftë shumë lëkundje të marrëdhënieve.

Madje ato u vërejtën hapur edhe në mos koordinime, mos takime e shpesh herë deklarata të kundërta./Lajmi.net/

Kurti për incidentin e Osmanit në Shkup: Po presim raport të hollësishëm, besoj se duhet të synojmë të vërtetën e jo tensionimin