Kurti: Do ta hetojmë dialogun Thaçi-Daçiq
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti gjatë një tubimi me qytetarët e Gjilanit, tha se kur LVAN ta marrë pushtetin, do të hetojë dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë të zhvilluar nga kryeministri në detyrë Hashim Thaçi.

Lajme
Kurti duke folur për dialogun me Serbinë, tha se ai do të bëhet mbi parimin reciprocitetit dhe respektimit të ndërsjellë të sovranitetit. Ai ka ritheksuar se Marrëveshja e 19 prillit të vitit 2013 e nënshkruar nga kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë do të dërgohet në Komisionin e Venedikut.
“Dialogun e deritanishëm do ta hetojmë e hulumtojmë me Komision Hetimor Parlamentar. 40 takime Thaçi-Daçiç. Nuk i kemi as transkriptet as procesverbalet. Andaj, dialogu duhet t’i nënshtrohet një hetimi, dhe gjithashtu do t’i përdorim mekanizmat për ta vlerësuar kushtetutshmërinë e marrëveshjeve të arritura, duke shfrytëzuar edhe Komisionin e Venedikut”, duke shtuar se PDK i bëri koncesione pafund Serbisë, bëri korrupsion pafund në Kosovë, dhe shkatërroi institucionet dhe shoqërinë në përgjithësi.
“Në pikën e pestë, të marrëveshjes së 10 shtatorit, themi që angazhohemi për dialog parimor, cilësor, të përgatitur mirë e të udhëhequr nga Lëvizja VETËVENDOSJE!. Përveç kësaj ky dialog parimor duhet të jetë i tillë që e përfshinë parimin e reciprocitetit dhe të respektimit të ndërsjellë të sovranitetit dhe integritetit territorial”.
Kryetari Albin Kurti duke iu drejtuar të pranishmëve, foli për dëmet që ia ka shkaktuar qeverisja e PDK-së Kosovës, për kapjen që ia ka bërë shtetit kjo parti, gjë që dëshmohet edhe me insistimin e Enver Hasanit, Flora Brovinës dhe Atifete Jahjagës në të drejtën e paqenë të PDK-së për ta mbajtur Kryeparlamentarin, si dhe për marrëveshjen e arritur më 10 shtator në mes VETËVENDOSJE!-s, LDK-së, AAK-së dhe NISMA-s.
Lidhur me marrëveshjen e 10 shtatorit, ai tha se ajo përqendrohet në çështjet e zhvillimit ekonomik, tek rritja e punësimit dhe mirëqenies së qytetarëve, tek reformat substanciale në arsim dhe shëndetësi, në forcimin e shtetit ligjor dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, për reformat institucionale dhe demokratike; në dialog të ri me Bashkimin Evropian për anëtarësimin e Kosovës edhe në NATO edhe në BE, në dialog të hapur me pakicën serbe ku i trajtojmë ata si qytetarë të Republikës në kuadër të zhvillimit për hir të zhvillimit.
Ndërsa në interesimin e të pranishëmve në këtë takim lidhur me raportin në mes të VETËVENDOSJE!-s dhe LAN-it, Kurti tha se shumica parlamentare nuk është e përsosur aspak në të mirën e saj, mirëpo e dimë që kjo shumicë parlamentare është për kundruall PDK-së, e cila është gati e përsosur në të keqen e saj.
Pasi akuzoi për krime dhe skandale që PDK sipas tij i ka bërë gjatë qeverisjes, Kurti tha se këta njerëz nuk e kanë vendin në pushtet, por në burg.
“Mirëpo, pikërisht këta e kanë kapur shtetin, në mënyrë që gjyqësia, prokuroria, policia, Presidentja, Gjykata Kushtetuese, të mos jenë në shërbim të qytetarëve por në shërbim të kësaj partie shtet e cila e kupton se është në liri vetëm kur është në pushtet. Posa ta humbin pushtetin, këta e dinë që e humbin edhe lirinë”, u shpreh Kurti.