Kurti dikur e quante EFT-në “rrezik kombëtar”, sot furnizuesi kryesor i energjisë në Kosovë që shteti paguan qindra milionë për import prej saj
Dikur, Albin Kurti e konsideronte kompaninë energjetike EFT si “rrezik kombëtar” dhe kërkonte largimin e saj të menjëhershëm nga tregu i Kosovës. Sot, nën udhëheqjen e tij, EFT është bërë furnizuesi kryesor i energjisë elektrike, një ndryshim drastik që ka tërhequr vëmendjen e ekspertës së energjisë, Janina Ymeri, raporton lajmi.net Ymeri ka ngritur alarmin për…
Lajme
Dikur, Albin Kurti e konsideronte kompaninë energjetike EFT si “rrezik kombëtar” dhe kërkonte largimin e saj të menjëhershëm nga tregu i Kosovës.
Sot, nën udhëheqjen e tij, EFT është bërë furnizuesi kryesor i energjisë elektrike, një ndryshim drastik që ka tërhequr vëmendjen e ekspertës së energjisë, Janina Ymeri, raporton lajmi.net
Ymeri ka ngritur alarmin për mënyrën se si Kosova furnizohet nga EFT dhe për shumat e mëdha të shpenzuara nga Qeveria për import të energjisë.
Ajo rikujton se para gjashtë vitesh Kurti ishte shprehur publikisht kundër kompanisë, duke pretenduar se pas saj qëndronin struktura të lidhura me ish-regjimin serb.
Në atë kohë, Kurti deklaronte se firma ka dy pronarë -Njëri është Vuk Hamoviq, kurse tjetri është djali i Aleksandar Rankoviqit.
“Firma ka dy pronarë. Njëri është Vuk Hamoviq, djali i shefit të Shtatmadhorisë së Armatës Popullore të Jugosllavisë. Tjetri është djali i Aleksandar Rankoviqit. Të dy jetojnë në Londër dhe janë të listuar në bursë.”
Ai kishte kërkuar largimin e EFT-së nga tregu i energjisë në Kosovë dhe Shqipëri:
“Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë duhet ta heqin EFT-në. Ne nuk mund të quhemi shqiptarë nëse vazhdon të na dominojë EFT-ja.”
Kurti po ashtu kishte pohuar se këtë çështje e kishte diskutuar me kryeministrin Edi Rama.
“Idetë e mia e kanë vënë në mendime Ramën.”
Sot, sipas Ymerit, këto deklarata mbeten vetëm pjesë e së kaluarës, ndërsa Kosova vazhdon të jetë e varur nga furnizimet e EFT-së.
Ajo shton se vetëm gjatë këtij viti Qeveria ka shpenzuar 220 milionë euro për import të energjisë, ku përfituesi kryesor është kompania e drejtuar nga Vuk Hamoviq.
Për këtë arsye, Ymeri ka kërkuar nga ZRRE pezullimin e licencës së EFT-së në Kosovë, duke theksuar se kompania është ndëshkuar më parë për shkelje të rënda në sektorin energjetik në Rumani.
“EFT në Rumani është ndëshkuar. Ndërsa në Kosovë, ZRRE ende nuk ia ka pezulluar licencën. Më 28 nëntor po i japim hapësirë armikut tonë të furnizojë vendin me energji elektrike”, tha ajo./Lajmi.net/