Kurti: Brenda shërbimit të jashtëm po vlojnë parregullsitë

Prej më shumë se një viti dy kontingjente të stafit diplomatik dhe konsullor të Kosovës shërbejnë me mandat të skaduar. Me gjithë rokadat, për më tepër se një vit këtyre personave Ministria e Punëve të Jashtme nuk po mund t’u gjen vend për risistemim.

Lajme

15/03/2014 12:33

Ambasadori i Kosovës në Zvicër, Naim Malaj dhe ai në Francë, Muhamedin Kullashi përfaqësojnë grupin e parë të ambasadorëve të Kosovës si shtet. Por, këtyre të emëruarve në vitin 2008, prej më shumë se një viti u ka skaduar mandati dhe nuk u është gjetur vend tjetër. Rrjedhimisht ata shtetin e Kosovës po e përfaqësojnë me mandatat të skaduar.

Ndërkohë në Tiranë ku ambasadori Sylejman Selimi nuk po mund ta ushtrojë detyrën, shteti i Kosovës po përfaqësohet me zëvendës/ambasadorin Gani Veseli, të cilit po ashtu i ka skaduar mandati.

Bashkë me Maljan dhe Kullashin është edhe një kontingjent i tërë diplomatësh, por edhe konsujsh, të cilëve ligjërisht u ka skaduar mandati dhe Ministria e Jashtme nuk po gjen kohë, e as vend për risistemim të tyre.

E fundit në radhën e emërimeve ka ndodhur edhe me konsullatën në Cyrih ku është emëruar konsulli i ri, ndërsa të mëparshmit Sali Sefës, nuk i është gjetur vend tjetër.

Ligji për Shërbimin e Jashtëm të Kosovës, parasheh që përfaqësuesit diplomatikë të qëndrojnë në shërbim në të njëjtin mision diplomatik për një periudhe katërvjeçare.

Por, në shumë vende ambasadorët dhe stafi tjetër janë ende ashtu siç janë emëruar në vitin 2008. Për më tepër autoritetet e shtetit prej nga ata vijnë nuk duket se e kanë marrë seriozisht risistemimin e tyre.

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj nuk ka pëlqyer të flet për risistemimin e këtyre personave me mandat të skaduar në shërbimin diplomatik.

Ndërsa Albin Kurti, kryetar i Komisionit Parlamentar për Politikë të Jashtme ka thënë se brenda shërbimit të jashtëm po vlojnë parregullsitë, jo-profesionalizimi, militantizmi dhe nepotizmi. Kjo sipas tij përveç që e ka dëmtuar shërbimin e jashtëm, e ka lënduar rëndë edhe kredibilitetin dhe reputacionin e vendit në qarqet ku kanë punuar dhe brenda stafit.

“Ministria nuk i merr parasysh ligjet, por nevojat e partisë për të bërë ndryshime sipas nevojave për rehatimin e militantëve. Mënyra se si ndërrohen, emërohen e lëvizen ambasadorët dhe stafi tjetër është tejet joprofesionale. Ministria e Jashtme ka kohë që bën shkelje serioze në emërimin, ndërrimin dhe rotacionin që ka bërë brenda këtij shërbimi”, i ka thënë Kurti Radio Kosovës.

Zakonisht në rastet e ndërrimit të një ambasadori, zëvendësi apo zyrtari tjetër të lartë në shërbimin e jashtëm, paralajmërimet dhe procedurat përgatitore bëhen 3 apo 6 muaj më herët, për shkak të çështjeve të akomodimit, e sidomos në rastet kur bëhet fjalë për fëmijë që janë duke vijuar mësimin. Por, ky element nuk po praktikohet në shumë raste nga Ministria e Punëve të Jashtme, cila në të shumtën bën ad hoc emërime e risistemime në stafin diplomatik.

 

(RTK)