Kurti bën homazhe në përvjetorin e çlirimit të Malishevës

Lëvizja Vetëvendosje në përvjetorin e çlirimit të Malishevës, ka bërë homazhe te shtatorja e Adem Jasharit në Malishevë dhe te varrezat e dëshmorëve në Malishevë dhe në Kleçkë ku është i varrosur Ismet Jashari Kumanova.

Lajme

16/06/2019 13:25

Në këto homazhe morën pjesë kryetari Albin Kurti, kryetari i qendrës në Malishevë Adem Berisha dhe veprimtari politik i çështjes kombëtare Gani Krasniqi, njofton kumtesa.

“16 Qershori është dita e çlirimit dhe dita e dëshmorëve në Komunën e Malishevës. Malisheva në luftën e fundit i ka dhënë kombit 72 dëshmorë dhe qindra martirë të vrarë e të masakruar. Malisheva po ashtu nga marsi ‘98 deri në korrik ‘98 ishte shpallur edhe zonë e lirë. Përgjatë asaj kohe në këtë zonë janë strehuar qindra e mijëra civil, kanë qenë të vendosura institucionet drejtuese të luftës siç ishin Shtabi i Përgjithshëm dhe Radio Kosova e Lirë”, thuhet në njoftim.

Mes tjerash, në këtë njoftim thuhet se pas luftës në Kosovë, qindra djem e vajza nga Malisheva i janë bashkuar organizimit të luftës së UÇPMB-se dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në Iliridë, ku kanë rënë dëshmorë edhe tre djem nga Malisheva.

Albin Kurti së bashku me përfaqësues të kësaj komune në këtë përvjetor bënë homazhe te shtatorja e Adem Jasharit në Malishevë dhe te varrezat e dëshmorëve në Malishevë dhe në Kleqkë ku është i varrosur Ismet Jashari Kumanova. /Lajmi.net/