Kurdisje e kombinime të pista
Jakup Krasniqi flet për akuzat që ia mvesh EULEX’i. Thotë se është i pastër në tërë veprimtarinë e vet 40 vjeçare. Akuzat i quan shpifje, kurdisje e kombinime të pista të ndonjë organizimi mafioz.

Lajme
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka thënë se është i bindur në pastërtinë e aktivitetit të tij politik e ushtarak gjatë tërë periudhës së veprimtarisë së tij.
Në një postim në profilin e tij në Facebook, i cili vjen pasi u intervistua nga hetues të EULEX’it si i dyshuar për krime të luftës, Krasniqi është shprehur se në tërë veprimtarinë e tij nuk mund të gjendet asnjë veprim që ka rënë ndesh me ligjet ndërkombëtare të luftës apo traditën kombëtare.
Duke aluduar në heshtjen e institucioneve, por me gjasë edhe të partisë së tij PDK, Krasniqi ka thënë se nuk i duhet mbështetja e askujt.
“Për angazhimin tim politik dyzetvjeçar në shërbim të kombit e të atdheut, për çdo veprim a mosveprim timin në çdo etapë të këtij angazhimi e veprimi me përkushtim, nga askush, e më nga askush, nuk kërkoj mbështetje a përkrahje, e më se paku e kërkoj këtë mbështetje për shpifjet, kurdisjet e kombinimet e pista të ndonjë organizimi mafioz”.
“Jam më se i bindur se në asnjë fazë të veprimit tim politik, përfshirë edhe veprimet e mija në luftën çlirimtare, nuk ka e nuk mund të gjendet asnjë veprim që ka rënë ndesh me ligjet ndërkombëtare të luftës a normën e traditës sonë kombëtare”.
“Edhe vitet e burgut, në shpirtin tim e kanë forcuar humanizmin dhe dhembshurinë”.
“Sigurisht që këtë ma ka mundësuar edukimi im familjar dhe atdhetar, të marr me dashuri nga mendjet më të ndritura të kombit e pse jo edhe nga mendjet më te ndritura të lëvizjeve revolucionare botërore e të mendimit politik botëror”.
“I falënderohem edhe Zotit që më ka lindur dhe m’i ka hapur rrugët e veprimit atdhetar, të njerëzishëm e human, për t’i shërbyer me devotshmëri kombit dhe atdheut tonë dhe jo vetëm atëherë kur kërkohen e gëzohen privilegjet”, ka shkruar Jakup Krasniqi.