Kurbetçinjtë shqiptarë nuk do të evidentohen në regjistrimin e Maqedonisë

Maqedonia nuk dëshiron që në regjistrimin e popullsisë të përfshihen edhe shqiptarët që punojnë dhe jetojnë jashtë vendit. Në regjistrimin e popullsisë të bërë më 2002,25 për qind e popullatës ishin shqiptarë. 

Lajme

28/01/2015 14:32

Maqedonia që 13 vjet nuk ka bërë regjistrimin e popullsisë. Në kohën kur nataliteti te popullata maqedonase është në rënie, shkollat mezi mbushen me nxënës dhe me mijëra maqedonas vdesin për një vit.

Në këtë situatë delikate kreu shtetëror maqedonas dhe Akademia e Shkencave po akuzon shqiptarët se kinse këta të fundit janë fajtor se pse nuk realizohet regjistrimi i popullatës. Maqedonasit me çdo kusht nuk duan të regjistrojnë shqiptarët që përkohësisht punojnë në Evropë dhe kudo në botë, shkruan Zhurnal, transmeton lajmi.net.

Shqetësime të shumta janë ngritur në Maqedoni lidhur me nevojën e organizimit të regjistrimit të popullsisë. Maqedonia e ka realizuar regjistrimin e fundit të popullsisë që në vitin 2002 ku shqiptarët janë 25.17 për qind e popullatës.

Kryeministri, Nikola Gruevski në deklaratën e tij të fundit për këtë çështje deklaroi se do të ndryshohet koncepti për realizimin e këtij operacioni.

“Ne po planifikojmë që të nisim përgatitjet rreth këtij procesi dhe se do të sigurojmë një softuer të posaçëm i cili do të evidentojë saktësisht praninë e çdo qytetari në vend dhe atyre që janë jashtë. Ne ishim dëshmitarë se në regjistrimin e fundit që dështoi në vitin 2011 kishte shumë parregullsi  dhe se po bëheshin manipulime dhe falsifikime të ndryshme me të dhënat”, ka thënë Gruevski.

Nga ana tjetër ish drejtoresha e Entit të Statistikave, Blagica Novkovska ka qëndrim kategorik se kurbetçarët shqiptarë që jetojnë jashtë Maqedonisë nuk duhet asesi të regjistrohen, por vetëm ata që jetojnë në Maqedoni. Pra ata që punojnë dhe bëjnë gjumin në shtëpi. Ajo nuk do të regjistrojë shqiptarët që përkohësisht punojnë nëpër shtetet jashtë Maqedonisë.

Maqedonia është i vetmi shtet në rajon që nuk ka bërë regjistrimin e popullatës plot 13 vite, shkruan Zhurnal, transmeton lajmi.net.