Kur shpallen rezultatet përfundimtare të votave të kandidatëve për deputetë?

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), dje ka përfunduar me numërimin e të gjitha vendvotimeve.

Lajme

09/10/2019 14:54

Mirëpo, KQZ, ende nuk ka nisur numërimin e votave me postë, votave me kusht dhe votave të personave me nevoja të veçanta. Ky proces i numërimit do të jetë shkak i vonesës së publikimit të rezultateve të përkthyera në vota për kandidatë për deputetë të partive politike.

Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së, i tha sot lajmi.net, se pasi të bëhet numërimi i votave me postë, kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta do të shpallen edhe rezultatet e kandidatëve për deputetë.

“Me shpalljen e rezultateve përfundimtare do t’i shpallim edhe rezultatet për kandidatët për deputetë. Gjithashtu, që procesi të përmbyllet ne duhet që të numërojmë edhe votat me postë, votat me kusht dhe votat e personave me nevoja të veçanta, rezultati i të cilave i bashkohet rezultatit të vendvotimeve”, ka thënë Elezi.

Votat me postë, votat me kusht dhe votat e personave me nevoja të veçanta nuk do të përfundojnë së numëruar gjatë kësaj jave, andaj edhe publikimi i votave për kandidatët për deputetë nuk ndodhë gjatë kësaj jave.

Sido qoftë, lajmi.net ka arritur të siguroi disa lista me partive politike në disa vende të caktuara.

Në anën tjetër Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka hedhur si të palejuara ankesat nga PDK-ja, LDK-ja e koalicioni Nisma-AKR-PD për rinumërim të të gjitha fletëvotimeve nga zgjedhjet e 6 tetorit.

“Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa – PZAP, në seancën e mbajtur më datë 08.10.2019, ka shqyrtuar ankesat: Anr.350/2019, të paraqitur nga Subjektit Politik PDK, Anr.351/2019, e paraqitur nga Subjekti Politik LDK dhe Anr.353/2019, e paraqitur nga Koalicioni NISMA-AKR-PD, të datës 07.10.2019, me të cilën kanë kërkuar që të Urdhërohet KQZ-ja, që të bëjë rinumërimin e të gjitha fletëvotimeve në të gjitha vendvotimet e Republikës së Kosovës dhe ka marrë vendim për te hudhur si te palejuara ankesat e larte theksuara”, njoftoi PZAP.

Kujtojmë, se në ueb faqen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), janë publikuar rezultatet e 2 mijë e 547 vendvotimeve apo 100 për qind të votave, shkruan lajmi.net.

Sipas këtyre rezultateve është Lëvizja Vetëvendosje ajo që ka dalë fituese e këtyre zgjedhjeve me 202 mijë e 968 vota apo 25.49 për qind.

E dyta është Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), e cila ka arritur që të mbledh 197 mijë e 702 vota apo 24.84 për qind.

Në vendin e tretë ka dalë Partia Demokratike e Kosovës me 169 mijë e 211 vota apo 21.25 për qind.

Koalicioni AAK-PSD ka arritur që t’i mbledh vetëm 92 mijë e 149 vota apo 11.57 për qind.

Ndërkaq koalicioni Nisma-AKR nuk ka arritur që të kaloj pragun pasi që ka arritur që t’i mbledh vetëm 39 mijë e 495 vota apo 4,96 për qind. /Lajmi.net/