Kur Messi është në formë, skuadra përmirësohet

Gonzalo Higuain beson se Lionel Messi mund ta ndihmojë shumë Argjentinën në Botërorin 2014. Sulmuesi i Napolit thotë se, kur ‘Pleshti’ është në formë, mund ta përmirësojë skuadrën.

Sport

19/04/2014 00:54

Gonzalo Higuain pret shumë nga Lionel Messi, në Kampionatin Botëror ‘Brazil 2014’, i cili do të mbahet gjatë kësaj vere.

Sulmuesi i Barcelonës po kalon nëpër një formë të zbehtë, por kolegu i tij i repartit, i cili luan në Napoli, beson se ‘Pleshti’ do të këndellet dhe do ta ndihmojë Argjentinën në evenimentin më të rëndësishëm të futbollit, i cili do të fillojë më 12 qershor dhe do të mbarojë më 13 korrik.

“Shpresojmë të bëjmë paraqitje të mira në Brazil. Ta kemi Messin me ne, është e rëndësishme. Kur ai është në formë, e gjithë skuadra përmirësohet”, deklaroi fillimisht ‘El Pipita’ në Fox Sports Latinoamerica.

“Napoli? Është një qytet mjaft i afërt me ne argjentinasit, e kam zgjedhur sepse projekti më entuziazmonte. Shpresoj ta shpaguaj në fushë besimin që ma kanë demonstruar”, përfundoi ish sulmuesi i Real Madridit.