Kur do t’i marrin nga 100 euro studentët? Ministria e Financave jep përgjigjen përfundimtare

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve ka bërë të ditur se sot në mbledhjen e Qeverisë janë ndarë 35 milionë euro buxhet, të cilat do të mundësojnë pagesën e mbështetjes së njëhershme prej 100 eurove për të punësuarit e sektorit privat dhe studentët.

Lajme

25/05/2022 19:27

Në njoftimin e tij në Facebook, Murati ka bërë të ditur se për të punësuarit e sektorit privat kanë mbetur të përfundohen vetëm procedurat e nevojshme për ekzekutimin e pagesave, shkruan lajmi.net.

Ai ka thënë se sektori privat do t’i pranojë nga 100 euro në llogaritë e tyre bankare gjatë kësaj jave, ndërsa për studentët aplikimi është ende i hapur dhe sapo të përmbyllet ky hap, do të procedohet me pagesa edhe për ta.

Postimi i plotë i Muratit:

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë kemi ndarë 35 milionë euro buxhet, të cilat do të mundësojnë pagesën e mbështetjes së njëhershme prej 100 euro për të punësuarit e sektorit privat dhe për studentët.

Për të punësuarit, periudha e aplikimit ka përfunduar javën që shkoi, dhe komisioni deri më tani ka validuar shumicën e përfituesve që plotësojnë kriteret.

Tani kanë mbetur të përfundohen vetëm procedurat e nevojshme për ekzekutimin e pagesave, dhe përfituesit që janë validuar do t’i pranojnë paratë në llogaritë e tyre këtë javë.

Për studentët ndërkaq, aplikimi është ende i hapur, dhe sapo të përmbyllet ky hap do të procedohet pagesa edhe për ta. /Lajmi.net/