Kur Albin Kurti thoshte se marrëveshja me LDK-në kryhet brenda 72 orësh

Janë bërë më shumë se dy muaj që kur VV dhe LDK nisën takimet në nivel kryetarësh për arritjen e koalicionit qeverisës.

Lajme

09/01/2020 18:14

Të gjitha këto takime përfunduan pa asnjë rezultat, teksa fjalia më e shpeshtë që na ka rënë të dëgjojmë këto ditë është se “u pajtuam që të vazhdojmë me takimet e rradhës”, shkruan lajmi.net.

Kësi probleme në negociata nuk i kishte menduar as lideri i VV-së, Albin Kurti.

Madje para certfikimit të rezultateve thoshte, se me t’u kryer ky proces, brenda 72 orësh do të takohet me Isa Mustafën për ta përmbyllur marrëveshjen.

“Pra, jemi marrë vesh që të merremi vesh menjëherë pas certifikimit të rezultateve, me ç’rast ftesa ime dhe përgjigja e Mustafës është dhënë, që një orë pas certifikimit të rezultateve pas rinumërimit ne do të takohemi brenda 72 orëve, dhe do ta bëjmë marrëveshjen për koalicionin qeverisës”, kishte thënë Kurti në një konferencë për media.

Edhe takimi i sotëm përfundoi pa ndonjë marrëveshje. Madje, ndryshe nga herat tjera, askush nga zyrtarët e të dy partive nuk folën para mediave, për ecurinë e negociatave. /Lajmi.net/