Kupa shkon në Prishtinë

Sigal Prishtina e ka fituar trofeun e Kupës së Kosovës në basketboll. Skuadra bardh e kaltër e mundi pa problem në finale Bashkimin me rezultat 92:65. Ata kanë qenë dominues gjatë gjithë ndeshjes dhe skuadra prizrenase nuk ka qenë kundërshtar i denjë.

Sport

30/03/2014 19:48

Sigal Prishtina është fituese e Kupës së Kosovës në basketboll. Skuadra bardh e kaltër ia doli ta mposht Bashkimin me rezultat 92:65 (29:20, 23:13, 18:23, 22:9), në finalen e zhvilluar të dielën mbrëma në Pallatin e Sportit ‘Shani Nushi’ në Gjakovë.

Bardh e kaltrit kanë qenë dominues gjatë gjithë ndeshjes dhe skuadra prizrenase nuk ka qenë kundërshtar i denjë për ta.

Dardan Berisha ka qenë protagonist i skuadrës kryeqytetase, duke realizuar 36 pikë, ndërsa tek ‘Portokallinjtë’ më i dalluari ishte Darell Llampley, me 14 pikë.

Në gjysmëfinale, Sigal Prishtina e kishte eliminuar Pejën, ndaj së cilës fitoi me rezultat zyrtar, kurse Bashkimi e kishte mundur Besën.

Për prishtinasit, kjo ishte finalja e 12-të pas luftës, duke i fituar 11 prej tyre. Kryeqytetasit e patën fituar këtë trofe edhe sezonin e kaluar, ndërsa do ta synojnë edhe titullin e kampionit të Kosovës.